Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj akuzave të ministrit të Financave, Hekuran Murati, lidhur me përdorimin e kontratave me procedurë të negociuar në Qeverinë Kurti.
Bajrami ka paraqitur të dhëna konkrete për kontratat e lidhura në periudhën 22 mars 2021 – 1 shtator 2024, të cilat janë të disponueshme për publikun
Në një postim në rrjetet sociale, deputetja ka publikuar një përgjigje zyrtare nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, ku jepen të dhënat mbi kontratat që janë lidhur pa procedurë të hapur, përmes negociatës direkte (njëburimore).
Sipas kësaj përgjigje, nga periudha e përmendur janë lidhur gjithsej 2123 kontrata me një vlerë totale prej 272 milionë e 954 mijë e 724 euro, ndërsa 775 prej tyre janë aneks-kontrata dhe 1348 kontrata për herë të parë
“Ku janë shpifjet? Ku është propaganda?” pyeti Bajrami në reagimin e saj, duke iu drejtuar ministrit Murati.
Ajo theksoi se të dhënat janë të qarta dhe të verifikueshme, duke e ftuar ministrin që të konsultohet me Prokurorinë për të vizatuar grafiket që, sipas saj, mund ta bindin më tej.
“Shko në Prokurori vizatoju grafa, ndoshta të besojnë,” tha Bajrami.
Ajo kërkoi që të hetohen gjithashtu grantet për bujqësi, për të cilat ajo tha se shpesh ndahen “në baza meritore”, por që gjithashtu mund të kenë të njëjtin problematik.
Në fund, Bajrami nuk hezitoi të akuzojë ata që mbrojnë të korruptuarit, duke thënë: “Unë besoj fort se të gjithë ata që mbrojnë të korruptuarit janë të korruptuar, nuk ka asnjë arsye tjetër.”