Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Malisheva së shpejti do të bëhet qytet i LDK-së.
“Nga sonte qëndrojmë të bashkuar! Nga sonte qëndrojmë të fortë! Nga sonte dalim me bindje të plotë se ‘Ne jemi ndryshimi’ për Kosovë”, ka thënë Abdixhiku.
Në ‘Turneun e Ndryshimit’ që sonte është mbajtur në Malishevë, kreu i LDK-së, ka thënë se është në këtë qytet për të shtrirë ftesën e madhe të ndryshimit.
“Sikurse ju, ashtu dhe çdo qytet tjetër nëpër Kosovë, duhet të ngritën bashkë, të bëhen një, të thërrasin kushtrimin për Kosovë”, ka thënë Abdixhiku.
“Për mua, për ekipin tim, për gjithë Lidhjen Demokratike të Kosovës, nuk ka qytet të madh e qytet të vogël, nuk ka qytetarë të rendit të parë e të periferisë, nuk ka njerëz të harruar e lënë pas, ka vetëm një qëllim, ka vetëm një mision, ka vetëm një ëndërr, një Kosovë, dhe një Lidhje Demokratike të Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka thënë se populli i Kosovës i lodhur me qeverisjen e katër viteve të fundit, po kërkon LDK-në, që sipas Abdixhikut “është parti që përbashkon dhe që ngritët mbi çdo sfidë”.