Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për buxhetin e vitit 2025 duke bërë dy shkelje ligjore.
Sipas tij, përveç shkeljeve, s’janë adresuar as nevojat kryesore si dhe s’janë trajtuar kërkesat buxhetore për të, ndërsa ka sqaruar edhe shkeljet që sipas tij janë bërë.
Deputeti i LDK-së thotë se me Kushtetutë, Osmani do duhej ta kthente në Kuvend këtë ligj.
“Kuvendi i Kosovës e miratoi ligjin e buxhetit për 2025: (1) me dy shkelje ligjore, (2) pa i adresuar nevojat kryesore dhe (3) pa i trajtuar dhjetëra kërkesa buxhetore. Sikur të funksiononte si duhet rendi kushtetues, Zyra e Presidencës do t’ia kthente Kuvendit këtë ligj për shqyrtim të tretë.
1. Shkeljet ligjore lidhen me nenin 33, i cili e ndryshon ligjin e pagave duke e shtrembëruar strukturën hierarkike të pagave, si dhe me nenin 35 me të cilin ndryshohet ligji i tatimit në pronë. Të dyja këto raste mund të adresohen vetëm duke ndryshuar ligjet përkatëse.
2. Mosadresimi i nevojave kryesore buxhetore lidhet me buxhetimin e pamjaftueshëm të: (i) pagave, pensioneve dhe skemave sociale për shkak të inflacionit; (ii) projekteve kapitale që kanë mbetur në gjysmë për katër vite; (iii) skemës së sigurimeve shëndetësore, arsimit dhe shëndetësisë në përgjithësi; (iv) kontratës kolektive, për të cilën komunat po paguajnë përmes vendimeve përmbarimore; (v) ushtrisë për të përmbushur planin e avancimit të dakorduar me aleatët etj.
3. Në Komisionin për Buxhet kanë arritur dhjetëra kërkesa të organizatave buxhetore qendrore e lokale dhe nga deputetët. Përveç disa kërkesave të deputetëve të komuniteteve, të cilat janë miratuar pasi duket se ata deputetë e kanë kushtëzuar votën e tyre me miratimin e kërkesave të tyre, asnjë kërkesë tjetër nuk është miratuar. Mosmiratimi në veçanti i kërkesave të institucioneve të pavarura kushtetuese bie ndesh me parimin e pavarësisë kushtetuese të atyre institucioneve. Kurrë në historinë e shkurtër të shtetit të Kosovës nuk ka ndodhur të miratohet kështu buxheti pa asnjë konsideratë ndaj deputetëve dhe organizatave buxhetore”, ka thënë Hoti
Deputeti i LDK-së ka thënë se qeveria e ardhshme duhet që prioritet ta ketë ndryshimin e këtij buxheti.
Hoti thotë se rritja ekonomike ka qenë më e ulëta ndër vite si rezultat i dështimit me buxhetin.
“E mira është se ky mandat katastrofal sa i përket performancës buxhetore po mbaron, dhe se qeveria e ardhshme duhet me prioritet ta ndryshojë këtë buxhet.
Buxheti prej 11.4 miliardë euro në këtë mandat qeverisës 2021-2024 është shpenzuar rreth 40% në subvencione. Dështimi kolosal është tek investimet kapitale, ku janë planifikuar 3 miliardë euro e janë shpenzuar vetëm 1.2 miliardë euro. Si rezultat, ekonomisë së Kosovës i mungojnë 1.8 miliardë euro.
Si rezultat i dështimit me buxhetin dhe mungesës totale të politikave fiskale, rritja ekonomike ka qenë më e ulëta në shumë vite. Rregullatorët ekonomik janë pasivizuar. Ka mungesë të dialogut me sektorin privat dhe sindikatat. Kushtet e të bërit biznes janë përkeqësuar. Është thelluar deficiti tregtar me rreth 2 miliard euro. Rreziqet fiskale nga ndërmarrjet publike mbesin të larta. Standardi i jetës është përkeqësuar pasi barra për buxhetin e familjeve është rënduar. Energjia është shtrenjtuar 117%. Nuk është ndërtuar asnjë kapacitet i ri energjetik. Në arsim u përkeqësuan rezultatet në testin PISA.
Prandaj, është tepër e rëndësishme që në qeverinë e re fillimisht të kthehet ligjshmëria në shfrytëzimin e buxhetit, e mandej të planifikohet buxheti në përputhje me nevojat dhe prioritetet”, ka shkruar Hoti në Facebook.