Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti këtë të hënë një konferencë me gazetarët, ku foli në lidhje me protestën kombëtare që opozita ka planifikuar për ditën e martë në kryeqytet.
Berisha tha se protesta është në vazhdën e mosbindjes civile për të rrëzuar qeverinë, të cilës iu referua me termin “narkoshteti”
Berisha theksoi se strategjia e opozitës nuk është dhuna, duke theksuar se “mosbindja civile nuk nënkupton një lëvizje guerile kundër diktaturës”.
“PD do vazhdojë me mosbindjen civile
Strategji tjetër është dhuna dhe forca.
Por PD nuk është për një lëvizje guerile kundër diktaturës. Është për mosbindje civile.
Se diktatura dy rrugë ka, ose mosbindje civile ose luftë guerile.
Ne jemi përcaktuar qartë për mosbindje civile.
Ne e vazhdojmë këtë me bindjen më të thellë se kjo diktaturë të ardhme nuk ka.
Një njeri që është marrë dikur me një diktaturë, e ka të qartë vështirësitë që qëndrojnë për rrëzimin e një diktature.
Por sot, rrëzimi i narkodiktaturës së vetme në Europë bëhet çdo ditë e më e mundshme.
Mos harroni një gjë, sa herë keni thënë me veten tuaj apo në studio se sa e izoluar është opozita shqiptare.
Dhe unë nuk them se e keni pasur gabim, jo.
Por ju e shihni me shpejtësi të rrufeshme kjo opozitë gjendet para një solidariteti të jashtëzakonshëm.
Ju garantoj se kjo nuk ndodh për sytë e saj të bukur.
As se është opozitë.
Por kjo ndodh për shkak të realitetit dramatik me të cilin lufton kjo opozitë.
Pra, po krijohet një ndërgjegje ndërkombëtare dhe do të krijohet gjithnjë e më e madhe kundër saj.
Narkoshteti i vetëm dhe i pari në Europë nuk ka të ardhme ndaj dhe ne vazhdojmë besimplotë në kauzën e drejtë
Ne e mbrojtëm këtë kauzë atëherë kur askush nuk na mbështeste.
Po të vërtetën duhet ta mbrosh edhe në vetmi absolute.
Sot ne kemi një mbështetje që nuk e kemi pasur kurrë më parë dhe jam shumë mirënjohës.
Por ky është detyrim shumë i madh për në për të vazhduar këtë betejë me të gjithë potencialin tonë dhe të përmbushim misionin që kemi, përmbysjen e narkodiktaturës në Shqipëri”, tha Berisha