Kryeministri Albin Kurti tregoi në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje se nuk e ka ndërmend të lëshojë pe për situatën në veri, .
Ai tregoi për një bisedë që tha se e ka pati me me Lulzim Hetemin, kryetarin e Leposaviqit i cili ka mbetur brenda brenda Komunës qe dy javë.
“Unë e thirra në telefon dhe bisedova me kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemin dhe ndodhi diçka interesante se – për të thënë të drejtën kur e thirra e kisha një çikë brengë se mos është mërzitur aty në zyrë, u bënë shumë javë, por unë teksa isha i brengosur mos është mërzitur ai, ai ishte i brengosur mos jam mërzitur unë. Kështu që unë i shqetësuar mos po lëshon pe ai, e ai i shqetësuar mos po lëshoj pe unë, prandaj biseda në vazhdim ishte përveçse e përzemërt, edhe shumë e këndshme”, tha shefi i Qeverisë.
Kurti tha se dorëheqjet e ish-kryetarëve të komunave veriore vitin e kaluar ishin përpjekje që në veri të shembet sistemi ynë shtetëror”
“Kjo përpjekje për ta shembur sistemin tonë institucional dështoi”, tha kryeministri.
Kurti foli për ditë të qeta së fundmi në veri, me përjashtim të dy ditë e gjysë dhunë, siç tha. Ai tha se “nuk ka dhunë pa urdhër për dhunë”.
Kryeministri pajtohet që të mbahen zgjedhje të reja në veri, por ai përsëriti kërkesat e tij.
“Dhe zgjedhjet e hershme në 4 komunat në veri për të siguruar përfaqësim, por deri atëherë kryetarët e ligjshëm do të ushtrojnë funksionin e tyre pa pengim”, tha ai. “Ne e kuptojmë që kryetarët e rinj kanë marrë pak vota, mirëpo këta kanë marrë pak vota, e ata tjerët s’kanë marrë aspak vota”.
Kurti tha se “serbët duhet të dalin në zgjedhje dhe jo t’i bojkotojnë”, ndërsa theksoi se ato duhet të jenë fer dhe demokratike, e të mos ketë kërcënime.
Prania e Policisë në veri “do të mund të zvogëlohej në mënyrë proporcionale”, tha ai, duke theksuar paraprakisht se kjo mund të bëhet “në përputhje me situatën e sigurisë dhe largimin e këtyre bandave kriminale dhe arrestimin e tyre, sepse do të duhej që të përballen me drejtësinë”.
“Dialogu për zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike duhet të intensifikohet. Kemi nevojë për sekuencim të balncuar dhe fer të zbatimit të marrëveshjes bazike. Marrëveshjen jo vetëm që e kemi pranuar të dyja vendet, por ajo është edhe pjesë e konkluzioneve të Këshillit Europian”, tha Kurti.
Situata në veri nuk mund të tolerohej më, tha Kurti. “Jo për inat të ndokujtë, por për hir të Republikës”.
Lidhur me marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, Kurti nuk foli shumë. Tha se qëndron prapa SHBA-së dhe BE-së si “aleat i pakompromis” në disa çështje, por për shtensionimin e situatës në veri përsëriti edhe njëherë kërkesat e tij.
“Kosova i qëndron pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian në tërë kuptimin e fjalës, politikës anti-Putin, vlerave demokratike e besimit në një të ardhme pa luftë e të bazuar në barazinë e drejtësinë e njerëzve. Në këtë drejtim, Qeveria jonë është aleat i pakompromis edhe i BE-së, edhe i SHBA-së. Rruga përpara për deeskalim dhe normalizim nënkupton ndalimin e menjëhershëm të dhunës nga bandat kriminale para objekteve të komunës ndaj zyrtarëve të Policisë, ndaj ushtarëve të NATO-s, ndaj gazetarëve dhe ndaj kryetarëve të komunave”, tha Kurti.
Për shkak të grupeve kriminale, ekstremistëve të dhunshëm, Kurti tha se “ne jemi të detyruar që ta kemi aty Njësinë Speicale e cila e mbronë kryetarin tonë, kryetarin e Leposaviqit i cili do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallim”.
Kryeministri tha se “nuk është e drejtë të insistohet nga kushdoqoftë se në ndërtesat në komunat veriore të Kosovës na u dashka që kryetari të jetë veçse serb dhe veçse serbët mund të hyjnë në ato ndërtesa”.
“Ndërtesat janë të Republikës. Nuk mund të jenë të ndara për funksionim sipas përkatësisë etnike”.