Kreu i PD Sali Berisha rifitoi lirinë pas 331 ditësh në masë sigurie arrest shtëpie për dosjen Partizani.
Vendimi u dha sot, 27 nëntor, nga gjyqtarja e Posaçme Flojera Davidhi dhe hyn menjëherë në fuqi. Vendimi është përshëndetur nga sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka. Ai shkruan se kjo ditë ka një domethënie të rëndësishme, ndërsa thekson se liria ka një çmim.
Flamur Noka: Kjo ditë ka një domethënie: liria gjithmonë ka një çmim. Demokratët dhe Sali Berisha si lider i demokratëve e ka paguar me të padrejtë çmimin e lirisë më shumë se kushdo tjetër në këtë vend. Por kjo ditë tregon se kush qëndron, kush lufton për të drejtën dhe të vërtetën do vijë një moment që do triumfojë dhe fitojë.
Demokratët kaluan një kalvar të pashoq nga regjimi dhe mafia ndërkombëtare e Xhorxh Soros. Drejtësia nën kthetrat e Soros bëri gjithçka për të likuiduar këtë forcë dhe liderin e saj. Sot, lideri i PD dhe i opozitës është i lirë falë qëndresës së demokratëve
Falë rezistencës së tyre. Falë përballjes së tyre. Falë luftës së tyre. Falë edhe të vërtetës. E vërteta vonon, por kurrë nuk harron.
Presioni i opozitës dhe qytetarëve e detyroi narkodrejtësinë t’i japë fund një sage vuajtjesh për opozitën dhe izolimi për liderin e saj. Drejtësia e Xhorxh Sorosit apo narkodrejtësia nuk ka ndryshuar asgjë. Qëndresa, lufta, rezistenca, presioni i pareshtur i demokratëve e detyroi dhe e gjunjëzoi këtë narkodrejtësi.
Pra, kjo është ajo që mund t’u them.
Drejtësia e Sorosit apo narkodrejtësia e pa që Strasburgu po çelte dritën jeshile dhe do rrëzonte të gjithë vendimet e narkodrejtësisë dhe u ngut në tentativë për të shpëtuar fytyrën e vet. Asgjë më shumë. Strasburgu do i çirrte maskën narkodrejtësisë së Sorosit në Shqipëri, prandaj u ngutën për të larë atë që kishin përmjerë deri tani.
Për kreun e grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ky është vendimi i duhur ligjor.
Gazment Bardhi: Revokimi nga GJKKKO i masave kufizuese joproporcionale ndaj Sali Berishës është vendimi i duhur ligjor dhe nën frymën, standardin dhe logjikën e vendimit të disa ditëve më parë të Gjykatës Kushtetuese.
Çdo ditë vonese do të ishte një sulm politik i drejtësisë ndaj kundërshtarëve të regjimit të Edi Ramës, me qëllim pengimin e aktivitetit politik të tyre në funksionalitet të plotë të betejës së opozitës. Afërsisht 1 vit pengesë antikushtetuese e aktivitetit politik të Liderit të opozitës është mjaftueshmërisht e rëndë për të toleruar të bëheshin më shumë! Kjo është një fitore politike e Sali Berishës që luftoi, luftoi, luftoi dhe e fitoi!