Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka dhënë detaje lidhur me procesin drejt hapjes së një fabrike shtetërore për prodhimin e municionit.
Ai bëri me dije se për hapjen e kësaj fabrike janë koordinuar me partnerët, derisa tregoi se një raport fizibiliteti e kanë pranuar nga Ministria e Mbrojtjes së Turqisë,
“Për këtë ne kemi zhvilluar në vazhdimësi komunikim, jemi koordinuar me partnerët tanë dhe në këtë rast për hapjen e fabrikës së municionit, fabrikës shtetërore jemi në kontakt dhe kemi pranuar një raport fizibiliteti me prodhues shtetëror nga Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Turqisë…”, tha Maqedonci.
“Ne asnjë hap nuk e ndërmarrim pa u konsultuar me të gjithë partnerët, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë partneri ynë kryesor strategjik në zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes dhe sigurisë”, shtoi tutje ai.
Kryeministri Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë tha se ka nënshkruar vendimin për themelimin e një Komisioni ndërministror, që do të merret me nisjen e procedurave rreth hapjes së kësaj fabrike.
“Ky Komision do të hulumtojë, do të negociojë dhe do të diskutojë rreth hapjes së një fabrike shtetërore për prodhimin e municionit, që do të jetë fabrika e parë e llojit të tillë në Republikën e Kosovë… Jemi në fazën e finalizimit të këtij projekti dhe Komisioni i cili do të punojë dhe do të kryesohet nga unë ku do të jenë pjesëmarrës Ministri i Punëve të Brendshme, Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, si dhe Ministri i Financave, do të finalizojë kontratën me të cilën ne fillojmë pra punën për hapjen e fabrikës shtetërore të municionit”, tha Maqedonci, në një konferencë pas mbledhjes së Qeverisë”, tha Maqedonci.
Ai tha se fabrika e municionit është projekt i qeverisë dhe nuk ndërhyn në aspektin e planit të tranzicionit të FSK’së.
Maqedonci shtoi se të gjitha prodhimet do të bëhen sipas standardeve të NATO’s
“Jemi fokusuar që të gjitha prodhimet në Kosovë do të bëhen sipas standardeve të NATO’s…”.
“Përveç me Republikën e Turqisë, ne do të vazhdojmë edhe me vendet e tjera të diskutojmë mundësitë e prodhimit të komponentëve të ndryshëm të armatimit dhe armëve në të ardhmen, mirëpo për ne fokus, Kryeministrin e Republikës së Kosovës dhe Qeverinë, është normalisht municioni që është element bazë për funksionimin e një ushtrie.
Jemi në fazën kur do të fillojnë diskutimet më të detajuara ku do të përfshihet edhe çështja e çmimit dhe produkteve që planifikojmë t’i prodhojmë në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar tutje ai.