Kryeministri Albin Kurti ka publikuar vendimin për Themelimin e Komisionit ndërministror për qëllim të vlerësimit dhe nisjes së procedurave dhe negociatave lidhur me hapjen e fabrikës për prodhimin e municionit dhe për laborator mbi dizajnimin e fluturakeve pa pilot në Kosovë.
Pjesë e këtij komisioni do të jetë ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, ministri i Financave Hekuran Murati dhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Rozeta Hajdari.
“Ditën e Forcës së Kosovës po e shënojmë me një vendim të rëndësishëm dhe një hap të domosdoshëm për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të ushtrisë sonë. Komisioni ndërministror i përbërë nga ministri i Mbrojtjes, ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve dhe ministri i Punëve të Brendshme, do të nisë procedurat e nevojshme për hapjen e fabrikës për prodhimin e municionit dhe për laboratorin mbi dizajnimin e fluturakeve pa pilot në Republikën e Kosovës. Gëzuar Ditën e Forcës!”, ka shkruar Kurti./Express/