Vështirësia në frymëmarrje dhe humbja e oreksit janë dy aspekte aspak të rehatshme të të ftohurës apo gripit.
Bllokimi i hundëve nga sekrecionet mund ta bëjë jetën të vështirë por kjo ndodh përkohësisht. Hundët mund të pastrohen nga sekrecionet falë disa kurave natyrale të mira për organizmin.
Simptomat e Bllokimit të Hundëve
Bllokimi i hundëve shoqërohet me një grumbullim të dendur të sekrecioneve, enjtje të indeve të hundës dhe dhimbje të sinuseve.
Tek të sapolindurit, bllokimi i hundëve mund të zgjasë për një muaj duke vështirësuar ushqyerjen e tyre.
Një prej arsyeve më të zakonshme të bllokimit të hundës është inflamacioni në flegrat e saj. Kjo mund të ndodhë si pasojë e të ftohurës, gripit apo sinozitit. Në rastet e këtyre problemeve, situata përmirësohet shpejt por ka raste siç është sinoziti kronik, myku apo alergjitë që tejzgjatin vështirësinë në frymëmarrje.
Kurat Natyrale Për Zhbllokimin e Hundëve
Uthulla e Mollës: Ekspertët rekomandojnë përzierjen e një luge çaji me uthull molle në një gotë me ujë të vakët. Kjo tretësirë duhet pirë një ose dy herë në ditë. Kjo kurë funksionon për shkak të acidit acetik dhe kaliumit që hollojnë sekrecionet dhe luftojnë mikrobet.
Çaji i Nenexhikut: Çaji i nenexhikut mund të përgatitet duke zier 8-10 fletë nenexhiku në ujë. Çaji duhet pirë një deri në dy herë në ditë. Mentoli tek nenexhiku lufton inflamacionin dhe çliron hundët nga sekrecionet.
Vaji Esencial i Trumzës: Për këtë kurë, AgroWeb.org ju udhëzon se duhet të zieni ujë në një tenxhere dhe të hidhni 6-7 pika të vajit esencial të trumzës. Mbulojeni kokën me një peshqir dhe nuhatni avullin e lëshuar nga uji i zier me vajin esencial. Kjo kurë funksionon sepse përbërësit e vajit luftojnë mikrobet dhe inflamacionin në rrugët e frymëmarrjes. Të njëjtën kurë mund ta bëni edhe me vajin e rozmarinës i cili ndihmon edhe kundër kollës dhe të ftohurës në përgjithësi.
Ujë Me Kripë: Uji me kripë mund të hidhet në një shishe spërkatëse për hundët dhe ta përdorni në secilën flegër. Kjo kurë është efikase në zhbllokimin e hundëve por funksionon edhe kundër alergjive, të ftohurës dhe sinozitit.
Hudhra: Zieni ujin në tenxhere. Hidhni 3-5 thelbinj të shtypur hudhre dhe mbulojeni kokën me peshqir. Nuhatni avullin e lëshuar nga hudhra dhe përsëriteni kurën dy herë në ditë. Hudhra është ideale kundër baktereve, mikrobeve dhe inflamacionit.