Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë konferencës për media të dielën ka thënë se pasojat do të ishin marramendëse nëse sulmi në Ibër-Lepenc do ta arrinte qëllimin.
“Pesha e pasojave të këtij sulmi, po të arrinte qëllimin e tij, do të ishte marramendëse. Ky sulm kishte për qëllim të shkaktonte dëme të pariparueshme në infrastrukturën e Kosovës. Ky do të shkaktonte për javë të tëra ndërprerje të prodhimit të energjisë nga Termocentrali Kosova B. Më tej, do të kishim ndërprerje të furnizimit të fabrikave të ujit, duke lënë pa ujë mbi 300 mijë qytetarë”, tha Kurti.
“Nuk ka qenë në pyetje vetëm uji, por rryma. Nuk është vetëm rryma, por edhe ngrohja. E nuk është vetëm ngrohja, por edhe telekomunikimi. Ky sulm duket që ka lidhje me sulmet ajrore të Federatës ruse kundër Ukrainës. Sulme këto që ishin të drejtuara kundër infrastrukturës energjetike”, tha Kurti
Ndër tjerash, Kurti ka thënë se Serbia vazhdon ta strehojë kryekriminelin Milan Radojçiq, duke thënë se Serbia po financon terrorizmin në Kosovë.