Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar për aktakzuën e re që i është ngritur Hashim Thaçit nga Gjykata Speciale e Hagës.
Në një postim në Facebook, Lladrovci ka thënë se lufta e pjesëtarëve të UÇK-së nuk mund të zbehet
“Lufta jonë e drejtë nuk mund të zbehet nga asnjë pretendim, as me akuza të reja”.
“Besimin tonë në drejtësi, nuk ka të drejtë askush ta shpërdorojë!”, ka thënë Lladrovci.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ngritur akuza ndaj ish-presidentit të vendit, Hashim Thaçit, për veprat penale të pengimit të drejtësisë, sipas një Aktpadie të konfirmuar.
Sipas ZPS-së, Thaçi ndohej në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, kur iu dorëzua fletë-arresti.
“Në aktakuzën e konfirmuar, kundër z. Thaçi janë ngritur tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës”, thuhet në njoftimin e ZPS-së.
Tutje, Zyra e Prokurorit të Specializuar thotë se Thaçi do të paraqitet para një gjykatësi të Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara lidhur me akuzat për vepra penale shtesë të ngritura ndaj tij.