Familjarët e Isni Kilajt, përmes avokatit të tij, Iain Edwards i kanë propozuar Gjykatës Speciale 40 mijë euro dorëzani për lirimin e Isni Kilajt, i cili po akuzohet për tentim të ndikimit mbi dëshmitarët.
Avokati tha se Kilaj është i gatshëm edhe për kushte të reja në rast që mendohet se rrethanat e gjykatës lidhur me këtë pjesë tashmë kanë ndryshuar, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Nuk ju kërkoj që t’i besoni që t’i jepni zotit Kilaj një shancë, një mundësi në mënyrë të pakushtëzuar, por iu bëj thirrje të konstatoni që është një kandidat i mirë për t’u liruar me kusht dhe për të vendosur të njëjtat kushte që iu vendosën nga gjykatësi i vetëm të cilat ai i ka përmbushur. Është e hapur për ju që të vini edhe kushte të tjera në qoftë se do të mendonit që zhvillimet gjatë javëve të fundit kanë përbërë një ndryshim. Ju mund ta urdhëroni zotin Kilaj që të raportojë në stacionin e policisë më shumë se njëherë në javë. Mund të mos e lejoni të udhëtojë më larg se shtëpia e tij në Malishevë. Mund ta vendosni të mos përdorë asnjë mjet komunikimi përveçse për të komunikuar me avokatin e tij, gjë që nuk është edhe shumë praktike. Mund të them që kam folur me familjen e zotit Kilaj dhe ata mund të paguajnë më shumë për dorëzaninë nga 30 mijë në 40 mijë euro”, tha avokati.
Avokati Edwards gjithashtu tha se këto para mblidhen nga familjarët e gjerë të Kilajt për shkak se ata i besojnë atij.
“Nuk do të jetë e lehtë për ata. Kilaj dhe familja e tij nuk janë të pasur, por familja e zgjeruar janë të gatshëm të kontribuojnë, të bëjnë sakrifica që të mbledhin një shumë kaq të madhe parash sepse i besojnë zotit Kilaj”, tha avokati.
Edwards gjithashtu tha se Kilaj ka njohuri që në rast që nuk u përmbahet kushteve, do t’i humbasë paratë.
Andaj, sipas tij, ky fakt nuk do ta lejonte Kilajn që të kryejë ndonjë veprim për të cilat ZPS-ja ka thënë se ka rrezik.
“Njohuria e zotit Kilaj se një sasi kaq e madhe parash do të humbiste nëse ai do të fshihej ose konstatimi se ka penguar procesin, njohuria e një humbje të tillë do të shërbente si një faktor për të mos e lejuar zotin Kilaj që të bëjë ndonjërin prej këtyre veprimeve”, tha avokati.
Gjithashtu, avokati tha se gjyqtari i vetëm kishte konstatuar se Kilaj mund të qëndronte i lirë edhe pas konfirmimit të aktakuzës me kushtin që do të merrte pjesë në çdo seancë që do ta caktonte gjykata
Përpara kësaj, avokati tha se Kilaj ka dëshmuar se është një kandidat i sigurt dhe i mirë për lirimin me kusht dhe se kjo gjë u vërtetua gjatë shtatë muajve të fundit.
Edwards tha se në nëntor të vitit të kaluar, gjyqtari i vetëm nuk ishte i bindur që t’i jepte Kilajt avantazhin e dyshimit dhe se Kilaj nuk iu ishte dhënë mundësia që të vërtetojë se mund t’i besohej atij me lirim me kusht. Por, kjo gjë ndodhi pikërisht pas gjashtë muajve dhe se Kilajt iu dha mundësia që të vërtetonte se mund t’i besohej atij.
Ai tha se të gjitha shënimet në dosjen e lëndës tregojnë se Kilaj ka përmbushur me besnikëri dhe tërësi çdo kusht që i është caktuar atij.
Ndonëse Prokuroria thotë se kanë ndryshuar rrethanat, avokati i Kilajt thotë se asgjë nuk ka ndryshuar në thelb për shkak se edhe në kohën kur ishte i liruar me kusht, klienti i tij e dinte se do të përballej me gjykimin, ishte i vetëdijshëm për sekuestrimet në shtëpinë e tij, por iu përmbajt kushteve të caktuara nga gjykata.
“(Prokuroria) ajo që kërkojnë të pranoni juve është absurde, kjo nuk ka fare kuptim, është e pakuptimtë. Nuk mund të jetë kjo e vetmja pikë ku merrni vendime dhe t’i hiqni lirinë një personi i cili në mënyrë paqësore ka jetuar në lirinë me kusht për shtatë muajt e kaluar sepse është e pabazë dhe është e pabazë si një tullë mbi mur që po shembet”, tha avokati.
Gjithashtu, avokati tha se Kilaj ka pasur njohuri për veprimet e ndërmarra nga ana e Prokurorisë e gjithashtu ka qenë i vetëdijshëm për dyshimet dhe prova që ishin sekuestruar në banesën e tij. Ndonëse beson që nuk do të shpallet fajtor, avokati tha se Kilaj e dinte që do të kishte aktakuzë nga ana e ZPS-së e po ashtu që ka pasur mundësi që të përballet me një dënim prej 5 vite.
Meqë tashmë e ka marrë aktakuzën e konfirmuar dhe i ka parë akuzat, avokati Edwrds tha se Kilaj tashmë e dinë që mund të dënohet më pak se 5 vite burgim nga sa kishte menduar në fillim.
Kurse, prokurori Joshua Hafetz tha se nuk ka kuptim të thuhet që Kilaj e dinte se do të kishte aktakuzë ndaj tij. Ai mori në shembull seancën e vitit të kaluar për caktimin e paraburgimit, ku avokati i tij kishte thënë se asnjë nga provat nuk ishin të mjaftueshme për të paraburgosur klientin e tij.
Si rrjedhojë, prokurori Hafetz tha se nuk ka pasur se si ta dijë Kilaj pasi që në mendjen e tij ai nuk kishte bërë asgjë të gabuar.
Prokurori tha se Kilaj u lirua për shkak të vonesës së procesit dhe jo për shkak të besimit të ofruar. Tha se tashmë kjo situatë ka kaluar për shkak se akuzat ndaj tij janë konfirmuar dhe janë drejt gjykimit