Hoti në PE: Është e domosdoshme që dialogu të vendoset në binarët që shpijnë në njohje reciproke

by Merita

Ish-kryeministri, njëherit deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka marrë pjesë në Parlamentin Evropian në mbledhjen e përbashkët të Komisionit Parlamentar për Stabilizim dhe Asociim BE-Kosovës

Ai përmend dialogun me Serbinë, ku thekson se janë tri veprime të Serbisë që vazhdojnë të mbesin të pandëshkuara nga BE-ja, me përjashtim të deklaratave politike që janë bërë kohë pas kohe.

banner

“Fqinjësia e mirë dhe dialogu janë vlera evropiane dhe civilizuese në marrëdhëniet ndërshtetërore. Nuk ka rrugë tjetër përveç zbatimit të standardeve evropiane të fqinjësisë së mirë dhe dialogut, të cilat janë esenciale për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor. Vetëm përmes fqinjësisë së mirë dhe integrimit evropian largohet pasiguria politike që po e mban peng zhvillimin demokratik dhe ekonomik të gjithë rajonit.

Por fqinjësia e mirë jep rezultate vetëm kur zbatohet nga të gjitha palët. Janë tri veprime të Serbisë që vazhdojnë të mbesin të pandëshkuara nga BE-ja, me përjashtim të deklaratave politike që janë bërë kohë pas kohe:

(i) përfshirja e institucioneve shtetërore serbe në sulmet terroriste të vazhdueshme në veri të Kosovës, që dëshmohet, ndër të tjera, me mosndërmarrjen e masave ndaj personave që dihen qartazi se kanë qenë të përfshirë në këto sulme,

(ii) presioni i vazhdueshëm i Serbisë ndaj komunitetit serb në Kosovë për t’u mos u integruar në institucionet e shtetit të Kosovës, si dhe;

(iii) shlyerja e vazhdueshme e adresave të banimit nga regjistri civil për shqiptarët në Luginën e Preshevës”, tha Hoti në fjalën e tij.

Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, Hoti thotë se si LDK që kanë bartur përgjegjësi shtetërore për shumë vite, besojnë se dialogu është mekanizmi i vetëm për të zgjidhur mospajtimet.

“Kosova ka treguar gatishmëri për dialog që nga viti 2011. Nga atëherë e deri në vitin 2017, janë arritur shumë marrëveshje, edhe pse shumë nga to nuk janë zbatuar. Ato marrëveshje që janë zbatuar e kanë përmirësuar jetën e qytetarëve në të dy shtetet”, vazhdon më tej.

Hoti pohon se në vitin 2020, në qeverinë paraprake, nisi dialogu për marrëveshjen përfundimtare për njohjen reciproke dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. “Por, fatkeqësisht, ajo kornizë e dialogut u braktis në vitin 2021”.

Sipas Hotit, dialogu gjatë periudhës 2021-2024 nuk ka prodhuar asnjë rezultat konkret.

“Gjatë kësaj periudhe, palët negociuese pajtoheshin në takimet e mbyllura, ndërkaq sapo dilnin në publik mohonin çdo gjë. Kjo ka qenë qasja e përhershme e palës serbe në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, por së fundmi edhe pala kosovare po sillet njësoj”.

Hoti beson fuqishëm se përderisa nuk adresohet problemi kryesor mes dy vendeve, që është njohja reciproke, nuk mund të normalizohen marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Të gjitha problematikat në marrëdhëniet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat po adresohen në kuadër të dialogut të Brukselit, burojnë nga mungesa e njohjes reciproke. Prandaj, është e domosdoshme që dialogu të fokusohet në arritjen e marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve”.

Më tej, ish-kryeministri tha se si opozitë vazhdojnë ta mbështesim dialogun, por sipas tani, tanimë është e qartë për secilin se ky format i dialogut nuk sjell rezultate.

“Transparencë për dialogun nuk ka as për qytetarët e as për opozitën. Ndërmjetësi i BE-së mjaftohet me faktin se palët po takohen në Bruksel dhe po arrihen dakordime për vazhdimin e takimeve. Vëmendja e nevojshme politike për dialogun nga nivelet e larta të BE-së vjen vetëm kur ndodhin probleme në terren, duke e kthyer kështu dialogun në mekanizëm për zgjidhjen e situatave problematike e jo për adresimin e problemit kryesor mes vendeve – që është njohja reciproke”.

“Ne presim dhe angazhohemi që dialogu Kosovë-Serbi të riformatohet nga ana e drejtuesve të rinj të institucioneve të BE-së”.

Hoti shpreson të shoh energji të reja në këtë proces dhe orientim drejt arritjes së marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke.

“Është e domosdoshme që dialogu të vendoset në binarët që shpijnë në njohje reciproke. Çfarëdo qasje tjetër vetëm sa e shtyn integrimin evropian të rajonit, duke krijuar pasiguri politike me pasoja të rënda ekonomike, sociale dhe të sigurisë për gjithë rajonin. Mbajtja e rajonit të Ballkanit Perëndimor jashtë BE-së pa asnjë qartësi për kornizën kohore të integrimit i kontribuon kolapsit ekonomik dhe demografik të të gjitha vendeve, që mund të rezultojë nga mungesa e investimeve dhe zhvillimit, si dhe nga migrimi i fuqisë punëtore, duke krijuar një rreth vicioz të jo stabilitetit politik dhe ekonomik”, tha ai.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy