Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media të lajmëruar pasdite, ka folur për sulmin terrorist të 29 nëntorit ku ishte dëmtuar struktura e kanalit të Ibër-Lepencit,
Kurti ka thënë se bazuar në informacionet e institucioneve të inteligjencës dhe sigurisë, pas urdhrit për sulmin qëndron Milan Radojicic dhe grupi i tij terrorist. Sipas Kurtit, për financim, planifikim e logjistikë ka përgjegjësi shteti i Serbisë.
“Bazuar në informacionet inteligjente qe i posedojnë institucionet e sigurisë, pas urdhrit për sulmin në Ibër lepenc qëndron Milan Radojicic dhe grupi i tij terroristi. Për planifikimin dhe financimin dhe logjistikën e sulmit ka përgjegjësi shteti i Serbisë. Sulmi është planifikuar paraprakisht nga Radojicic, për realizimin e tij janë përfshirë dy grupe në kuadër të organizatës terroriste Mbrojtja Civile që financohet nga Serbia dhe që trajnohet atje”, ka thënë Kurti në konferencë për media.
“Këto dy grupe janë trajnuar nga strukturat e sigurisë së Serbisë janë trajnuar në vazhdimësi para dhe pas sulmit të Banjskës”, ka shtuar tutje Kurti.
Kreu i Qeverisë ka dhënë edhe detaje të tjera, duke thënë se Milan Radojcic pas sulmit është angazhuar për të fshehur përgjegjësinë dhe se Serbia ishte angazhuar për të adresuar përgjegjësinë diku tjetër.
“Pas sulmit ka bërë telefonata e takime dhe ka marrë veprime fabrikuese për fshehjen e tij.Serbia është angazhuar për të adresuar përgjegjësinë diku tjetër”, ka thënë Kurti.
Pas sulmit të 29 nëntorit në Zubin Potok, Kurti thotë se Radojicic ka shprehur pakënaqësi tek rrethi i tij i ngushtë, meqë ka dashur që kanali të dëmtohej masivisht dhe në mënyrë të pakthyeshme.
“Pas sulmit, Radojicic ka shprehur pakënaqësi, meqë pritjet e tij kanë qenë që kanali të dëmtohej masivisht dhe pakthyeshëm”, ka potencuar tutje kreu i Qeverisë.
Kjo konferencë e Kurtit për sulmin në Zubin Potok vjen një ditë pas deklaratës së ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, se SHBA s’sheh prova që e lidhin Serbinë me sulmin e 29 nëntorit
“Ne sigurisht nuk shohim asnjë provë e cila do të çonte në Beograd, por dikush e bëri atë dhe duhet të kryhet një hetim i plotë.”, ka thënë Hill, në një intervistë për televizionin publik të Serbisë, RTS.