Ish-Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, ka ndarë një vizion ambicioz për të ardhmen e arsimit në Kosovë, gjatë vizite që ka bërë në qendren e Inovacionit ITP në Prizren.
Në këtë prezantim, deputeti i PDK-së, njëherësh edhe nënkryetar Kuvendi, Hoxhaj ka theksuar rëndësinë e digjitalizimit të shkollave dhe adaptimit të teknologjisë moderne për të fuqizuar të rinjtë e Kosovës. Ai ka përshkruar një plan gjithëpërfshirës që përfshin përdorimin e Smart Boards në klasë, pajisjen e nxënësve dhe mësuesve me laptopë ose tabletë dhe garantimin e internetit të shpejtë për të gjitha shkollat në vend.
Një aspekt tjetër thelbësor i vizionit të tij është integrimi i inteligjencës artificiale (AI) në sistemin arsimor, duke siguruar një mësim të personalizuar për çdo nxënës. Hoxhaj ka theksuar edhe mbështetjen për hapjen e qendrave rajonale për trajnim dhe inovacion, si dhe ndërlidhjen e të diplomuarve me kompanitë teknologjike për të rritur mundësitë e punësimit.
Ai gjithashtu ka nënvizuar rëndësinë e përfshirjes së grave dhe të rinjve në sektorët inovativë dhe digjitalë, duke premtuar projekte konkrete që do t’i mbështesin ata në këtë drejtim.
“Platforma më e veçantë që ndërthur inovacionin, trajnimin, shkathtësitë, punësimin dhe ekonominë është Innovation and Training Park (ITP) Prizren. Si Ministër i Arsimit, Ministër i Jashtëm dhe Zëvendëskryeministër, gjatë viteve 2008-2019 kam qenë i angazhuar në themelimin dhe zhvillimin e tij, duke marrë vendime të rëndësishme për këtë qëllim. Sot, ishte kënaqësi të shoh se nën udhëheqjen e Muhamet Rexhepit, ITP është shndërruar në një qendër të rëndësishme për kompani të ndryshme nga fusha e inovacionit, teknologjisë, industrisë kreative dhe arsimit të lartë!”, ka shkruar Hoxhaj