Policia e Shkodrës ka zbardhur detaje të reja sa i takon dinamikës së ngjarjes së rëndë që tronditi vendin pas vrasjes së 33-vjeçarit Ramazan Mataj në fshatin Dragoç.
Autori dyshohet se i ka zënë pritë të riut, rreth 1.2 km larg banesës së tij. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se nga hetimet paraprake rezulton se autori ka qenë një person i vetëm. Ai dyshohet se e ka nxjerrë Ramazanin nga shtëpia përmes një mesazhi në rrjetet sociale me një profil fals. Autori ka qenë i fshehur, duke pritur Ramazan Matajn dhe, sapo ka ardhur makina e viktimës, autori ka hapur zjarr duke e qëlluar me 29 plumba drejt automjetit të viktimës. Ka qenë një banor i zonës që në mëngjesin e ditës tjetër ka gjetur viktimën brenda në makinë dhe më pas ka lajmëruar Policinë.
Mësohet se gjurmët e autorit janë ndjekur nga grupi hetimor përmes një qeni të Policisë, i cili i ka çuar deri në një farë distance. Zona ku ka ndodhur atentati nuk është e mbuluar me kamera sigurie, pasi vrasja ka ndodhur në një rrugë dytësore, në të cilën nuk gjenden banesa dhe as biznese.
Familjarët e viktimës kanë treguar në polici që nuk kanë asnjë konflikt me askënd. Ata kanë shtuar se, nëse këtë rast nuk e zbardh shteti, ata do të detyrohen ta zbulojnë vetë, duke lënë të nënkuptohet që do të marrin hak për 33-vjeçarin Ramazan Mataj.
Hetuesit bëjnë me dije se pista kryesore është ajo e një konflikti personal, e lidhur me një marrëdhënie dashurie që mund të ketë pasur 33-vjeçari, por nuk përjashtohet edhe aktiviteti i viktimës jashtë vendit.