Cakolli sqaron procedurën për Ligjin për Specialen: Presidentja ka afat deri më 23 tetor për ta dekretuar ose kthyer në Kuvend

by Nexhat

Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), është deklaruar për Ligjin për Specialen, duke thënë se “afati për dekretim ose kthim përfundon këtë të premte, më 23 tetor, ndërsa kalimi i tij pa vendim e bën ligjin të konsiderohet i shpallur edhe pa dekret dhe të hyjë në fuqi pas publikimit në Gazetën Zyrtare”.

Sipas tij, “në rast kthimi, Kuvendi mund ta miratojë sërish ligjin, këtë herë me shumicën e të gjithë deputetëve, pra së paku 61 vota për, duke e përmbysur veton. Me këtë votim ligji konsiderohet i shpallur, ndërsa presidentja e ka konsumuar mundësinë e kthimit, të cilën mund ta ushtrojë vetëm një herë për të njëjtin ligj”.

banner

Reagimi i tij i plotë:

Presidentja mund ta kthejë një ligj në Kuvend për rishqyrtim, përmes asaj që njihet si veto pezulluese, duke e ndalur përkohësisht shpalljen e tij. Sidoqoftë, kjo e drejtë është e kushtëzuar me një dëm eventual ndaj interesave legjitime të Kosovës ose të komuniteteve, të cilin Presidentja duhet ta shpjegojë përmes kundërshtimeve konkrete ndaj ligjit në tërësi, ose neneve specifike të tij. Po ashtu, kompetenca për kthim duhet të ushtrohet brenda afatit 8-ditor nga pranimi i ligjit.

Për Ligjin për Specialen, afati për dekretim ose kthim përfundon këtë të premte, më 23 tetor, ndërsa kalimi i tij pa vendim e bën ligjin të konsiderohet i shpallur edhe pa dekret dhe të hyjë në fuqi pas publikimit në Gazetën Zyrtare.

Në rast kthimi, Kuvendi mund ta miratojë sërish ligjin, këtë herë me shumicën e të gjithë deputetëve, pra së paku 61 vota për, duke e përmbysur veton. Me këtë votim ligji konsiderohet i shpallur, ndërsa presidentja e ka konsumuar mundësinë e kthimit, të cilën mund ta ushtrojë vetëm një herë për të njëjtin ligj.

Sa i përket ndryshimit të projektligjit në rast të kthimit nga Presidentja, ndryshe nga Rregullorja e vjetër e cila parashihte shprehimisht mundësinë e miratimit të korrigjimeve të çështjeve që ishin ngritur nga Presidenti, Rregullorja aktuale e Kuvendit e përshkruan vetëm mundësinë e përmbysjes së vetos dhe e lë pa shtjelluar procedurën e ndryshimeve potenciale.

Sidoqoftë, konsideroj që mundësia e Kuvendit për t’i korrigjuar dispozitat e kundërshtuara rrjedh natyrshëm nga kthimi për rishqyrtim, sepse ndryshimet shërbejnë pikërisht për t’i adresuar vërejtjet e presidentes. Paqartësia lidhet me procedurën, ndërsa kufizimi vetëm në miratimin ose rrëzimin e tekstit të mëparshëm do t’ia ngushtonte kuptimin rishqyrtimit, edhe kur problemet mund të zgjidhen duke ndryshuar disa nene.

Nëse Ligji për Specialen do të kthehet, Komisioni për Legjislacion ka katër javë nga pranimi për ta përgatitur raportin për seancë, me mundësi që shqyrtimin ta përfundojë edhe më herët. Interpretimi i Rregullores nga ky komision shërben edhe për të sqaruar mënyrën e propozimit dhe votimit të ndryshimeve, përpara se ligji të kthehet në seancë.

Në të kaluarën, kemi pasur të paktën tetë raste të kthimit të ligjeve nga presidentët e Kosovës, katër nga Jahjaga, dy nga Thaçi dhe dy nga Osmani. Një nga rastet e Jahjagës, lidhur me pensionet e pjesëtarëve të FSK-së, ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka sqaruar kufijtë e kësaj kompetence dhe e ka dalluar kthimin e ligjit nga propozimi i amendamenteve prej presidentes.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy