Presidentja Vjosa Osmani u nënshkrua sot në Librin e Zisë për Jimmy Carter, presidentin e 39-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili vdiq më 30 dhjetor.
Libri i Zisë u hap në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë.
Me këtë rast, Presidenca njoftoi se Osmani ka shkruar: “Në emër të popullit të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Carter dhe popullit amerikan për ndarjen nga jeta të Presidentit Jimmy Carter”.
“Angazhimi i përhershëm i Presidentit Carter për paqen, të drejtat e njeriut dhe drejtësinë, frymëzoi breza liderësh në mbarë botën. Përkushtimi i tij ndaj shërbimit na kujton të gjithëve se lidershipi i vërtetë nuk ka të bëjë me fuqinë, por me humanizmin, integritetin dhe mbrojtjen e kauzave”.
“Kosova gjithmonë do ta nderojë trashëgiminë e tij si një kampion për liri, integritet dhe dinjitet. Shembulli i tij le të vazhdojë të na udhëheqë të gjithëve dhe shembëlltyra e tij qoftë një bekim për të gjithë ata që luftojnë për një botë më të mirë dhe më të drejtë”.