Më shumë se 70 njerëz janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza që nga shpallja e marrëveshjes së armëpushimit, tha Mbrojtja Civile e drejtuar nga Hamasi, shkruajnë mediat e huaja.
Marrëveshja e amëpushimit mes Hamasit dhe Izraelit është planifikuar të hyjë në fuqi të dielën, më 19 janar. Megjithatë, ajo ende duhet të miratohet nga qeveria izraelite.
Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se kabineti do të shtyjë një takim të planifikuar për të enjten në mëngjes për të diskutuar miratimin e marrëveshjes së armëpushimit të Gazës, duke akuzuar Hamasin se ka detyruar lëshime të minutës së fundit.
Hamasi, i cili konsiderohet një organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, hodhi poshtë pretendimet e Netanyahut.
Në një deklaratë të publikuar nga Reuters, mediat palestineze, si dhe Izzat al-Rishq nga zyra politike e organizatës, theksohet se “Hamasi është i përkushtuar ndaj marrëveshjes së armëpushimit të shpallur nga negociatorët”.
Marrëveshja mes Izraelit dhe Hamasit u arrit me ndërmjetësimin e Katarit dhe Egjiptit
Ai përfshin tre faza, me fazën përfundimtare të fokusuar në rindërtimin e Rripit të Gazës.
Konflikti shpërtheu në tetor 2023, kur militantët e udhëhequr nga Hamasi sulmuan vendbanimet në jug të Izraelit, ku vranë, sipas shifrave izraelite, rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë, dhe morën 251 pengje në Gaza.
Izraeli u hakmorr duke nisur një ofensivë shkatërruese në enklavën palestineze që vrau më shumë se 44,000 njerëz dhe zhvendosi shumicën e popullsisë, sipas autoriteteve shëndetësore në Rripin e Gazës të kontrolluar nga Hamasi