Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka marrë pjesë në hapjen e Galerisë së renovuar të Arteve, ku përmendi investimet e mëdha që do të bëhen në fushën e kulturës nën qeverisjen e tij.
Në pjesëmarrje të ekspozitës së fotografive “Keep Calm and Smile” nga Korab Basha, Abdixhiku tha se u frymëzua “nga fotografitë që lartësojnë Ushtrinë e Kosovës, dhe nga puna fantastike që po bëhet në këtë komunë.” Abdixhiku u zotua për investimesh multi-milionëshe që synojnë përparimin e kulturës në nivel kombëtar.
“Ajo që e dallon secilën komunë ku qeveris LDK-ja është kultura e punës. Prandaj, me qeverinë tonë, këtë kulturë të punës do ta sjellim edhe në nivel qendror, edhe në fushën e rëndësishme të kulturës, me investime multi-milionëshe në projekte serioze kombëtare si: – Ndërtimi i Teatrit të Operas dhe Baletit Dr. Ibrahim Rugova, Teatrit të Ri Kombëtar të Kosovës, dhe Muzeut Bashkëkohor; – Themelimi dhe ndërtimi i Muzeut të Paqes dhe Rezistencës; – Adoptimi i 10 Qendrave Multifunksionale në 10 qytete të Kosovës;” – tha ai mes tjerash.