Tenori Armaldo Kllogjeri dhe njëkohësisht ish-banor i BBVIP 2 ka njoftuar se ka fituar gjyqin kundër Teatrit të Operës dhe Baletit, që sipas tij, e larguan padrejtësisht nga puna.
Lajmin ai e ndau me ndjekësit në rrjetet sociale, duke theksuar se beteja vazhdon me qëllim rikthimin e tij në Teatrin e Operës dhe Baletit.
Ai u shpreh se për mirëqenien e fëmijëve të tij e çoi këtë çështje deri në fund, duke deklaruar: “Kam thënë që për bukën e fëmijëve të mi do t’i shkoj deri në fund kësaj çështjeje.”
“Ju e dini që prej disa muajsh unë kam paditur në gjykatë Teatrin e Operës dhe Baletit dhe kam thënë që për bukën e fëmijëve të mi do t’i shkoj deri në fund kësaj çështjeje.
Dua t’ju falënderoj nga zemra për mbështetjen dhe përkrahjen që më keni dhënë.
Por gjithashtu dua të ndaj me ju një lajm të gëzueshëm: kam fituar gjyqin kundër Teatrit të Operës dhe Baletit, në veçanti ndaj ish-drejtoreshës së këtij institucioni, e cila ka shkelur ligjin pa asnjë hezitim. Lufta tani vazhdon për t’u rikthyer në Teatrin e Operës dhe Baletit,” shkruan Maestro.
Ishte shtatori i vitit 2024 kur Armaldo, i njohur si “Maestro” nga Big Brother VIP Albania 2, njoftoi ndjekësit e tij për padrejtësinë që i ishte bërë.
Në një videomesazh ai u shpreh se nuk kishte bërë keq askujt, duke shtuar se kishte paditur në gjyq Teatrin e Operës dhe Baletit për largimin e tij nga puna.
“Kjo video është për ata që komentojnë me ironi, duke thënë, ‘o i shkretë, mbete pa punë, të iku karriera, nga një tenor përfundove në dasmaxhi’. Po mirë, kam një pyetje: kujt i kam hyrë në hak? Kujt i kam bërë keq unë? Që me zërin tim shkoj në familje të nderuara që më thërrasin për të kënduar? Apo s’ka problem, ‘ky le të rrijë pa bukë, pa punë, t’ia mbajë bota fëmijët’…
Ju e dini që kam thënë një herë që jam në gjyq! Dhe po ua përsëris! Kam paditur Teatrin e Operës dhe Baletit, i cili një muaj para se të mbaronte Big Brother më largoi nga puna në mënyrë rrufe, pa ndjerë aspak keqardhje, pa menduar se ky person ka kontribuar për teatrin për 20 vite, 20 vite djersë, sakrifica, emocione. E kemi mbajtur Teatrin edhe në kushte nga më të vështirat, dhe ai Teatër, pa vënë mendjen në punë, më lë në rrugë, me bashkëshorten shtatzënë dhe një fëmijë të mitur.
Ju nuk besoni, por unë ia kam lënë drejtësisë këtë çështje. Gjithsesi, dua t’ju them një gjë: shikoni punët dhe hallet tuaja, sepse të miat i zgjidh vetë,” deklaroi ai, duke shtuar: “Për fëmijët e mi, do t’i shkoj deri në fund, me çdo çmim”.