Gazeta e njohur gjermane, “Bild”, ka raportuar se Italia është duke u përgatitur për tërheqjen e mundshme të trupave amerikane nga Kosova.
Këto informacione “Bild” i jep duke u mbështetur në informacionet që ka.
“Sipas të dhënave të Bild-it, Italia është duke u përgatitur për tërheqje të mundshme të trupave të ShBA-së nga Kosova. Aleatët evropianë atëherë do të ishin të vetëm në Ballkan kundër mikut të Putinit, Aleksandar Vuçiq, dhe ushtrisë së tij të fuqishme serbe”, thuhet në këtë artikull.
Në artikull thuhet se ka shqetësim të madh në shumë pjesë të Evropës për negociatat amerikano-ruse.
“Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka përjashtuar një tërheqje të plotë të trupave amerikane nga Evropa. Sipas të dhënave të Bild-it, shërbimet perëndimore të sigurisë dhe politikanët perëndimorë kanë frikë se bisedimet që nisën në Riad do të mund të çonin në përfundimin e pranisë së trupave amerikane në pjesë të mëdha të Evropës”.
Për të mbështetur burimet e saj, ‘Bild’ citon edhe një zyrtar të sigurisë në Evropën Lindore.
“Sipas të dhënave tona, kjo ka të bëjë me kërkesat e Putinit të vitit 2021, që janë tërheqja e trupave amerikane nga të gjitha shtetet e NATO-s që janë bërë pjesë e aleancës pas vitit 1990.”, citon gazeta zyrtarin e sigurisë.