Shteti jep 800 mijë euro për tre filma, konkursi i radhës brenda një muaji

by informim peje

Me 340 mijë euro për projektin “Dua” me skenar e regji të Blerta Bashollit, 240 mijë për “Dua të shkoj sërish në det” me skenar e regji të Leart Ramës dhe me 220 mijë për “Gjurmë” nën regji të Rita Krasniqit, Qendra Kinematografike e Kosovës ka shpallur tri projekte fituese për film të metrazhit të gjatë, përderisa “jashtë loje” mbesin nëntë projekte të tjera.

Tërthorazi në këtë proces përmendet edhe “një ndërhyrje nga jashtë” e QKK-ja që sivjet ka dy milionë euro buxhet vetëm për projekte filmike, ka paralajmëruar konkursin e radhës brenda një muaji
Qendra Kinematografike Kosovës ka përzgjedhur që prej 12 projekteve kinematografike për filma të gjatë artistikë, t’i mbështesë vetëm tre prej tyre.

banner

Ky numër shihet si i vogël sa i përket mbështetjes, por institucioni më i lartë filmik në vend planifikon që të hapë një tjetër thirrje brenda një muaji. Kësisoj, të paktën sipas vitit kalendarik, QKK-ja i bie që vjet ka hapur veç një konkurs dhe atë veç për një kategori.

Projekti “Dua” me skenar e regji të Blerta Bashollit e producent Valon Bajgorën ka marrë përkrahjen më të madhe me 340 mijë euro. I dyti renditet “Dua të shkoj sërish në det” me skenar e regji të Leart Ramës e producent Valmira Hysenin që do të përkrahet me 240 mijë euro. Kurse i treti është “Gjurmë” nën regji të Rita Krasniqit, skenar të bashkëshkruar me Jon Gojanin e producent Gojanin që është mbështetur me 220 mijë euro.

Për këtë thirrje, QKK-ja kishte emëruar në përbërje të jurisë, Tin Dirdamalin, Norika Sefën, Antoneta Kastratin, Thomas Logorecin dhe Alireza Ghasemin. Kurse në komision financiar ishin: Ilir Hasanaj, Ujkan Hysaj dhe Virgjina Peja.

Thirrjes së dhjetorit të vitit të kaluar ia kishin mësyrë edhe projektet “Sa o Roma Babo” nën regji të Agim Sopit, “Zanushja” nën regji të Sabri Pajazitit, “Babai dhe babai” nën regji të Besim Ugzmajlit dhe “Lule” nën regji të Edon Rizvanollit. Po ashtu në listën e aplikuesve ishin edhe “Vajza” nën regji të Eki Rrahmanit, “Zëri që nuk dëgjohet” nën regji të Luan Kryeziut, “As numrat e telefonit nuk i shkëmbyem” nën regji të Genc Berishës, “Vezë mjellme” po ashtu nën regji të Berishës dhe “Lindur për të jetuar” nën regji të Kastriot Avdylit.

Pas daljes së projekteve të përkrahura, regjisori Besim Ugzmajli ka thënë se i uron të gjithë fituesit të cilët janë emra të njohur për kinematografinë kosovare dhe jo vetëm.

“Konsideroj se problemi më i madh është numri i vogël i projekteve si pasojë e shumës së vogël të mjeteve financiare që ndahen për projektet filmike në Kosovë. Ne jemi informuar që QKK-ja ka shumë më shumë buxhet, ndërsa ndarja për film bëhet prapë mbi një milion. Do të thotë vazhdon të jetë një ndarje shumë e vogël e buxhetit për film dhe numri i projekteve mandej është shumë i vogël”, ka thënë ai. Ugzmajli ka shtuar se duke i uruar të gjithë fituesit mendon se në këtë rast konkursi është ndikuar edhe nga jashtë.

“Mendoj se ka pasur edhe ndërhyrje nga jashtë në udhëheqësinë e QKK-së dhe kjo ndërhyrje nga jashtë ka ndikuar edhe në vendimet e jurisë”, ka thënë ai. Nuk ka bërë të ditur se për çfarë ndërhyrje aludon.

QKK-ja ka në plan që shumë shpejt të hapë thirrje të re. Këtë e ka konfirmuar drejtoresha e këtij institucioni, Blerta Zeqiri.

“Brenda një muaji do të hapet thirrja për të gjitha kategoritë e tjera”, ka thënë Zeqiri.

Afati i aplikimit në këtë thirrje ishte shtyrë shkaku i “problemeve teknike” të platformës.

“Për shkak të problemeve teknike që aplikuesit kanë hasur në platformën online gjatë ditës së djeshme, afati për aplikim për subvencionimin e projekteve filmike të metrazhit të gjatë është shtyrë”, shkruhej në deklaratën e QKK-së, nëpërmjet së cilës është bërë e ditur se afati për aplikim ishte shtyrë për një ditë, më 13 janar.

Funksionimi i QKK-së gjatë vitit të kaluar ka bërë që 2024-shi të jetë i djegur. Jo vetëm me humbjen e ritmit, por edhe me buxhet. 1.6 milion euro sa ishte buxheti për 2024, nuk është shfrytëzuar për projekte të atij viti.

Edhe më 2023 konkursi nuk ishte hapur deri në dhjetor me arsyetimin se rregulloret i duheshin përshtatur Ligjit për kinematografi që e ka zëvendësuar atë të vitit 2004. Asokohe, drejtoresha e QKK-së, Blerta Zeqiri, kishte thënë se prej vitit 2024, QKK-ja planifikon të hapë dy konkurse brenda vitit, një në qershor e tjetrin në nëntor. Por ia ka dalë që vjet të hapë veç çerekkonkurs dhe atë në dhjetor.

Sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore për këtë vit, QKK-ja në kategorinë e subvencioneve dhe transfereve ka dy milionë euro. Vjet i ka pasur 1.6 milion euro.

Në dhjetor, kur ishte hapur konkursi që është finalizuar të enjten me publikimin e projekteve që do të mbështeten, aktori e producenti Fatmir Spahiu kishte thënë se lajm i mirë është që ka konkurs për film të metrazhit të gjatë artistik.

“Për mua është e rëndësishme që të ketë sa më shumë konkurse. Ky është një superlajm për industrinë e filmit”, kishte thënë ai.

Prej nëntorit të vitit të kaluar shteti i Kosovës synon që të bëhet konkurrent krahas vendeve të tjera që u ofrojnë mundësi e lehtësira kompanive të mëdha kinematografike. Me këtë synim, Qeveria ka miratuar Rregulloren për të drejtën e rabatit. Kompanitë e huaja që investojnë dhe shpenzojnë drejtpërdrejt në Kosovë për projektet e tyre do të rimbursohen me 30 për qind të vlerës së investimit.

Ta zëmë, nëse një kompani audiovizuale shpenzon në Kosovë 1 milion euro për film, serial, videolojëra a reklamë, shteti do t’ia kthejë 300 mijë euro. Ky hap ka pasur alamet promovimi nga Qeveria, përderisa komunitetin artistik deri diku e ka ndarë në dysh. Por për këtë mundësi duhet bërë goxha fushatë. E me fushata QKK-ja nuk i ka punët mirë.

Në dy vitet e kaluara s’ka pasur kandidat për t’u nominuar për çmimin prestigjioz “Oscar”. Për vjet mundësia është humbur pasi koha e shpalljes së kandidatëve ka qenë deri më 2 tetor. Institucioni më i lartë i kinematografisë nuk kishte hapur fare konkurs nëpërmjet të cilit shtëpitë filmike do të propozonin filmat e tyre para Komitetit Selektues të “Oscarit”. E në dhjetor të vitit të kaluar, drejtoresha e QKK-së, Blerta Zeqiri kishte dhënë një sqarim për këtë.

“Ne kishim një problem me e-maile, po them është problem shumë teknik i cili na ndodhi ashtu siç ndodhi dhe nuk e kemi pranuar me kohë e-mailin për propozime që vjen nga ‘Oscari’. Momentin kur neve na u kujtua që, ‘pse nuk erdhi ai e-mail?’, dhe kur kemi shikuar pse nuk ka ardhur, veçse ishte shumë vonë. Kemi kërkuar, kemi telefonuar dhe kemi bërë çmos për të na lejuar ta krijojmë komisionin, mirëpo fatkeqësisht nuk ia arritëm”, kishte thënë Zeqiri. Kurse më 2023 komiteti i emëruar nga QKK-ja kishte vendosur që të mos ketë kandidat./KOHA

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy