Kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i pranishëm në një aktivitet mbi performancën e institucioneve të drejtësisë, të organizuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, theksoi se SPAK është në gjendje që të kryejë në pavarësi të plotë dhe në respektim të Kushtetutës hetime të guximshme edhe ndaj zyrtarëve të lartë. Sipas Dumanit epoka e paprekshmërisë po lëkundet.
“SPAK ka treguar se është në gjendje që në respektim të ligjit dhe kushtetutës të kryejë në pavarësi të plotë hetime të guximshme kundër zyrtarëve të lartë shtetërorë çka dëshmon se epoka e paprekshmërisë po lëkundet. Hetimet tona gjithashtu kanë goditur grupe kriminale të përfshira në trafiqet ndërkombëtare të drogës, pastrimin e parave, trafikimin e qenieve njerëzore, organizata kriminale të cilat kanë për objektiv kryerjen e veprave penale, vepra shumë të rënda kundër jetës sidomos kundër kundërshtarëve të tyre. Rritja e kapaciteteve të SPAK ka vendosur themele të shëndosha në çështje të komplikuara të korrupsionit dhe zyrtarëve të lartë publikë”, tha Dumani.