Në varrezat e Dragodanit në Prishtinë, u mbajt ceremonia e varrimit të fotoreporterit, Alban Bujari, i cili ndërroi jetë sot.
Familjarë, miq, kolegë dhe personalitete të ndryshme u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit njeriut që përmes objektivit të tij dokumentoi momentet më të rëndësishme të historisë së Kosovës.
Alban Bujari ishte i njohur për punën e tij si fotoreporter gjatë luftës së fundit në Kosovë, duke sjellë në pah tmerret dhe vuajtjet e popullit shqiptar përmes fotografive të tij.
Kolegu i të ndjerit, fotoreporteri Ridvan Slivova tha se Albani ka ndërruar jetë po veprat e Albanit do të mbesin gjithmonë më histori
“Ka qenë një lajm jo i mirë, i pa pritur se nuk ka qenë që ka vuajtur nga ndonjë sëmundje, ka qenë një lajm që ka bombarduar. Mua personalisht nuk e kam përjetuar mirë. Duke menduar edhe përpara që kemi bashkëpunuar e punuar edhe gjatë periudhave më të vështira ku shpesh herë na ka ndodhur që të mposhtim frikën përmes njëri tjetrit. Kur kemi qenë afër kemi qenë pak më të sigurt, e sot na mungon pikërisht ndoshta edhe në ditën e masakrës që ka ndodhur, në përvjetorin e masakrës që ai i ka bërë fotografitë. Albani ndoshta ka ndërruar jetë po veprat e Albanit do të mbesin gjithmonë më histori”, tha ai.


