Vizita e ish-presidentit Hashim Thaçi në Kosovë gjatë ditës së sotme, përveç vëmendjes së madhe të mediave vendore, ka krijuar jehonë edhe jashtë vendit aq sa të raportohet edhe nga mediat prestigjioze të huaja,
Janë “The Washington Post” dhe Agjencia e lajmeve “Associated Press”,ato që i kanë kushtuar artikull vizitës së dytë të Thaçit brenda pak ditësh, i cili sot me të arritur në Kosovë, shkoi në Burojë për të vizituar varrin e babait që vdiq të dielën që shkoi në QKUK pas një sëmundje të gjatë.
Në raportimet e këtyre mediave, theksohet se ish-presidentit Thaçi, nuk iu dha leja që të ishte i pranishëm në funeral.
Po ashtu, në raportimin e këtyre mediave, theksohet edhe pjesëmarrja e shumë udhëheqësve dhe politikanë vendas nga Kosova dhe Shqipëria fqinje në varrim
Tutje, aty theksohet edhe se, Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, është ankuar në Dhomën e Specializuar të Kosovës në Hagë se Thaçit i është ndaluar të shkojë.
“Te varri i yt erdha i fundit, babë. Para meje erdhën mijëra qytetarë.. Së shpejti, dorë më dorë, do t’i falënderoj të gjithë! Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, ishte ajo çfarë Thaçi kishte shkruar në kurorën me lule që ia la te varri pati një mesazh:
Ndryshe, kjo është vizita e dytë në Kosovë e Hashim Thaçit brenda një intervali të shkurtër kohor.
Ish-Presidenti i vendit ka ardhur në Prishtinë edhe më 13 mars ku për disa orë kishte qëndruar në QKUK për të vizituar babanë që po trajtohej aty, që më vonë u kuptua se ishte në ditët e fundit të jetës.
Më rastin e vdekjes së babait të Thaçit, mbrojtja e tij ka kërkuar që ish presidenti të vijë për varrim të martën në Burojë, por kjo vizitë s’është aprovuar nga Gjykata. Ardhja i është lejuar vetëm pasi ka përfunduar e pamja treditëshe që është mbajtur në sallën e sporteve në Skënderaj
I përcjellë me masa të rrepta sigurie në një veturë të EULEX’it, e shoqëruar edhe nga vetura të policisë së Kosovës, Thaçi ka qëndruar në shtëpinë e familjes në Burojë për rreth dy orë nga ku ka dalë duke përshëndetur të pranishmit me një gisht që është vërejtur brenda automjetit me xhama të errët.
Gazeta Express nga burimet të saj merr vesh se kjo vizitë është aprovuar me disa kushte specifike. Hashim Thaçi sonte do të qëndrojë në Kosovë, më saktësisht brenda objekteve të EULEX’it ku nesër do ta vizitojë familja për t’i shprehur ngushëllime për vdekjen e babait, e më pas ai do të kthehet në Hagë.
Në rastin e Kadri Veselit, vizita ishte kryer në kushte tjera. Ai kishte qëndruar në EULEX, por gjatë ditës i ishte lejuar të shkojë në shtëpinë e familjes në Bair të Mitrovicës.
Ndryshe, Gjykata e Hagës në një përgjigje sot për Gazetën Express ka thënë se vizita është aprovuar për “arsye bindëse humanitare”.
“Trupi gjykues dhe gjyqtari i procedurës paraprake kanë udhëzuar Sekretarin që të menaxhojë një vizitë të mbikëqyrur në Kosovë për Hashim Thaçin që t’i bëjë nderimet dhe të jetë me familjen e ngushtë. I akuzuari mbetet në paraburgim dhe në kujdestari nga Dhomat e Specializuara”, ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatë Sepciale, Michale Doyle për mediat kosovare