Policia e Shtetit ka dhënë detaje në lidhje me kontrollet që po kryen në ambientet e kampit të muxhahedinëve MEK, në Manzë të Durrësit.
Policia bën me dije se kontrollet po kryen me urdhër të Prokurorisë së Posaçme SPAK dhe pas një vendimi të Gjykatës së Posaçme.
Sipas uniformave blu efektivët po zbatojnë me rigorozitet etikën dhe komunikimin e duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve dhe komunitetit që banon në këtë kamp.
Teksa nuk jep shumë detaje specifike mbi arsyet e operacionit, policia në njoftimin zyrtar thekson se kontrollet janë në zhvillim e sipër dhe një informacion të plotë do të ketë në orët në vijim.
“Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të urdhrit të ekzekutimit të Prokurorisë pranë kësaj Gjykate, për kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave ku banojnë për qëllime humanitare, Policia e Shtetit, në kuadër të një plani operacional, ka filluar kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave në kampin MEK, në Manëz, Durrës.
Në zbatim të urdhër-kontrolleve të nxjerra nga Gjykata, Policia e Shtetit ka marrë masa për zbatimin e tyre, me planin e kontrollit të ambienteve në territorin e kampit MEK, duke zbatuar me rigorozitet etikën dhe komunikimin e duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve dhe komunitetit që banon në këtë kamp.
Grupet e kontrollit të Policisë po vijojnë kontrollet në territorin e kampit MEK dhe në ambientet e brendshme të tij. Në përfundim të kontrolleve do të ketë njoftim më të detajuar”, njofton policia.