Këto janë të gjitha vendimet e Qeverisë në mbledhjen e sotme

by Nexhat

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e shtatë, në të cilën ka miratuar disa projektligje dhe vendime tjera.

Në këtë mbledhje, ekzekutivi miratoi projektligjet për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë, si dhe Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore.

banner

Sipas njoftimit, Inspektorati Qendror i Trashëgimisë Kulturore do të ketë përgjegjësi për mbrojtjen e monumenteve dhe pasurive kulturore, përfshirë ndërhyrjen ndaj punimeve të paautorizuara dhe masat kundër dëmtimit të trashëgimisë.

Qeveria ka ndarë gjithashtu 1 milion e 852 mijë e 350 euro për Këshillin Kombëtar Shqiptar, si dhe ka miratuar subvencionimin e renovimit të shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve pakicë në komunat e Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit.

Në mesin e vendimeve të tjera është edhe miratimi i kërkesave për autorizimin e ministrit përkatës për nënshkrimin e marrëveshjeve për sigurime sociale me Austrinë dhe Turqinë.

Po ashtu, është miratuar themelimi i Grupit Punues për hartimin dhe koordinimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë. Grupi do të kryesohet nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

Në këtë mbledhje, Qeveria miratoi edhe Programin për Vlerësimin Ex-Post të Akteve Juridike për vitet 2026–2028, vendime për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare dhe kthimin e 5 mijë e 705 eurove në rastin e ndërmarrjes shoqërore “Komogllava”.

Ndër vendimet e fundit ishte emërimi i Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të ndërmarrjes publike “Kompania për Menaxhimin e Deponive” Sh.A., me Mirjeta Hetën në krye, si dhe Halit Kadriun, Azemine Demiri-Gazidedën dhe Lirie Rrahimi-Ademin si anëtarë.

Qeveria ka miratuar edhe kërkesën për shitjen e automjeteve zyrtare të papërdorshme të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy