Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër dy personave të dyshuar për fajde dhe kanosje. Sipas njoftimit zyrtar, D.Sh. akuzohet për veprat penale “fajde”, “kanosje” dhe “posedim të paautorizuar të narkotikëve”, ndërsa A.Sh. për “kanosje”.
Hetimet kanë zbuluar se i dëmtuari F.K. mori një hua prej 3,000 eurosh nga i pandehuri D.Sh., i cili i kërkoi kamata mujore prej 300 eurosh për vonesat në kthimin e borxhit. Pas disa muajsh, për të mbyllur këtë borxh, F.K. mori një hua tjetër prej 4,000 eurosh, por me kushte edhe më të rënda – duke e detyruar të paguajë kamata mujore prej 700 eurosh dhe më pas 1,500 eurosh për një shumë totale prej 7,000 eurosh. Përmes këtyre transaksioneve, viktima përfundoi duke paguar mbi 18,000 euro në interesa. Kjo ishte aedhe arsyeja për arrestimin e të pandehurit i cili u kap nga Policia e Kosovës në flagrancë.
Përveç skemës së fajdes, i pandehuri D.Sh. akuzohet se e ka kanosur të dëmtuarin F.K. përmes mesazheve kërcënuese në rrjetet sociale, duke i shkaktuar frikë dhe pasiguri. Një tjetër i pandehur, A.Sh., dyshohet se ka ushtruar presion mbi F.K. për të tërhequr dëshminë e tij, duke e kërcënuar përmes aplikacionit “WhatsApp”.
Gjatë arrestimit të D.Sh., policia gjeti dhe sekuestroi sasi të vogla narkotike, për të cilat testi laboratorik konfirmoi praninë e marihuanës.
Ky rast e kondirmon edhe një herë problematikën e fajdes në Kosovë, si dhe rreziqet që individët mund të përballen kur bien pre e skemave të paligjshme financiare.