Gjatë ditës së djeshme, qytetarët e Prishtinës janë përballur me një situatë të pazakontë dhe shqetësuese: rrugët e kryeqytetit janë mbushur me mbeturina të pambledhura, duke krijuar pamje kaotike dhe shqetësim të madh publik. Kjo situatë erdhi pas vendimit të kompanisë “Pastrimi” për të mos vazhduar me shërbimin e grumbullimit të mbeturinave, duke e arsyetuar këtë me mungesën e mbështetjes financiare nga Komuna e Prishtinës.
Në një reagim zyrtar, përfaqësuesit e “Pastrimi” kanë deklaruar se komuna nuk ka paguar faturat për shërbimet e ofruara gjatë katër muajve të fundit, çka ka sjellë kompani në një krizë të thellë financiare. “Nuk kemi mbështetje financiare dhe si pasojë nuk kemi më kapacitete për të kryer shërbimet e nevojshme për qytetin,” thuhet në deklaratën e tyre.
Por vetëm pak orë më vonë ka ardhur një kundërreagim i menjëhershëm nga Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama. Ai ka mohuar pretendimet e kompanisë, duke theksuar se komuna ka ofruar gjithë mbështetjen e kërkuar dhe ka respektuar obligimet e saj ndaj “Pastrimi”. Rama ka akuzuar menaxhmentin e kompanisë për keqmenaxhim dhe keqpërdorim të burimeve të ndërmarrjes, duke e cilësuar këtë si shkakun e vërtetë të ndërprerjes së shërbimeve.
Situata është pasojë e abuzimeve të brendshme dhe jo e mungesës së mbështetjes nga ana e komunës. Ne kemi marrë masa të menjëhershme për të kthyer normalitetin dhe kemi angazhuar kompani alternative për të larguar mbeturinat nga rrugët e qytetit, ka deklaruar Rama.
Në lidhje me këtë situatë ka reaguar edhe aktori i njohur kosovar, Jeton Zogjani. Përmes një postimi në Facebook, ai ka shprehur mbështetjen për kryetarin Rama, duke e cilësuar atë si një lider me vizion dhe përkushtim për të ardhmen e Prishtinës.
“Përkundër pengesave të vazhdueshme nga pushteti qendror dhe disa akterë që duket se e kanë prioritet sabotimin në vend të bashkëpunimit, Rama vazhdon të punojë me integritet dhe transparencë për të mirën e qytetarëve. Prishtina ka nevojë për zhvillim, jo për bllokada politike,” ka shkruar Zogjani.
Ndërkohë, qytetarët shpresojnë që kjo krizë të mos përsëritet dhe që institucionet përgjegjëse të gjejnë një zgjidhje afatgjate për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.