Epoka e Sigurisë Falas Po Mbaron – Kosova të Punojë për një Strategjie të Re Ushtarake

by engel

Nga Redaksia

Profesori dhe publicisti Blerim Latifi së fundmi ka ngacmuar debatet strategjike në Kosovë me një reflektim të kthjellët mbi ndryshimet që po ndodhin në fushën e sigurisë globale dhe ndikimin e tyre të pashmangshëm në rajonin tonë. Në një postim në profilin e tij në Facebook, Latifi shtroi një pyetje të drejtpërdrejtë dhe aspak komode për realitetin kosovar: “Do të paguajmë për mbrojtjen amerikane apo të ndërtojmë mbrojtjen tonë?”

banner

Kjo pyetje nuk është thjesht një dilemë filozofike apo akademike. Ajo është sfida reale me të cilën Kosova do të përballet shumë shpejt, në një kohë kur SHBA po rikonfiguron qasjen e saj globale në fushën e mbrojtjes, duke e bërë të qartë se era e “sigurisë falas” për aleatët e saj ka marrë fund.

Shembulli i fundit sipas Prof. Latifit, një porosi e fuqishme vjen nga Katari, ku presidenti Donald Trump nënshkroi investime miliarda dollarëshe me qeverinë vendase, por në anën tjetër u kërkoi atyre që të paguajnë për të mbajtur bazën ushtarake amerikane në tokën e tyre. Kjo tregon qartazi kahjen e re të politikës së sigurisë amerikane: Aleatët duhet të kontribuojnë, të investojnë dhe të marrin përgjegjësi për sigurinë e tyre. Ky është një sinjal i fortë që duhet të kuptohet dhe përkthehet në veprim edhe në Prishtinë.

Sipas Prof. latifit, në Evropë, Gjermania dhe Franca kanë nisur të reagojnë. Berlini synon të ndërtojë ushtrinë më të fortë në kontinent, ndërsa Parisi kërkon të ripozicionohet si garantues i sigurisë europiane, duke u mbështetur në faktin se është e vetmja fuqi bërthamore brenda BE-së. Këto zhvillime nuk janë vetëm manovra politike – janë pjesë e një epoke të re ku siguria kombëtare nuk mund të mbështetet më vetëm në miqësi e aleanca simbolike.

Kosova, për fat të keq, është shumë larg këtij mentaliteti. Pas 26 vitesh mbështetje perëndimore, vendi është mësuar me idenë se dikush tjetër do të kujdeset për të. Kjo kulturë pasive e mbrojtjes ka sjellë jo vetëm një ushtri ende të pazhvilluar dhe të paorientuar strategjikisht, por edhe një shoqëri që në masë të madhe nuk e ka të zhvilluar ndjenjën e përgjegjësisë kolektive për sigurinë kombëtare.

Për më tepër, situata ekonomike dhe mungesa e një vullneti politik të qartë e bëjnë edhe më të vështirë vendosjen e një agjende serioze për reformimin dhe ndërtimin e kapaciteteve të mbrojtjes. Megjithatë, dilema që parashtroi Latifi nuk pret. Ajo kërkon përgjigje urgjente dhe vendime të guximshme.

Duam apo jo, e ardhmja do të na vendosë përpara një zgjedhjeje: ose të fillojmë të ndërtojmë një sistem mbrojtës serioz, duke investuar në ushtri, në edukimin strategjik të brezave të rinj dhe në ndërtimin e aleancave të mirëfillta ushtarake, ose të mbetemi në pritje të ndihmës që po zvogëlohet nga viti në vit.

Është koha për të braktisur iluzionin e sigurisë së përhershme dhe për të pranuar se asgjë në botën e sotme nuk është gratis – sidomos jo siguria. Kosova duhet të zgjohet nga gjumi i gjatë strategjik dhe të nisë të mendojë seriozisht për të ardhmen e saj në një botë gjithnjë e më të pasigurt.

Ky artikull është pjesë e rubrikës “Opinion” dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimin editorial të portalit.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy