At Nikola Xhufka ka reaguar sot në lidhje me raportimet për mbylljen me dry të Kishës Ortodokse në fshatin Rakinicë, gjatë një interviste në emisionin “Kosova Today”. Ai deklaroi se aktualisht nuk ka informacion të konfirmuar rreth kësaj çështjeje, pasi nuk ka pasur ende asnjë kontakt zyrtar me Policinë e Kosovës.
“Ne nuk mund të themi diçka pa pasur një bazë të vërtetë. Nuk kemi pasur kontakte me policinë. Nuk kemi asgjë,” u shpreh Xhufka.
Ai theksoi gjithashtu mungesën e një objekti fetar të rregullt për komunitetin ortodoks në zonë, duke përmendur një vizitë të fundit në Kishën e Rakinicës për një shërbesë pagëzimi.
“Ne kemi qenë para disa ditësh, dikush është pagëzuar dhe normalisht kemi shkuar në Kishën e Rakinicës për ta mbajtur këtë shërbesë. Ne jemi ankuar vazhdimisht që nuk kemi një kishë që institucioni ynë të kryejë ritet fetare ashtu siç i takon,” shtoi ai.
Kjo deklaratë vjen mes shqetësimeve të ngritura nga besimtarë ortodoksë për aksesin e kufizuar në objektet fetare, në një kohë kur raportet ndërkomunitare mbeten të ndjeshme.
Institucionet përkatëse ende nuk kanë dhënë një qëndrim zyrtar në lidhje me gjendjen aktuale të Kishës në Rakinicë.