Prishtinë, 22 maj 2025 – Policia e Kosovës, në bashkëpunim me forcat paqeruajtëse të KFOR-it, ka realizuar një operacion të përbashkët në komunën e Leposaviqit, ku janë ndaluar shtatë automjete të ngarkuara me mallra të dyshuara për kontrabandë dhe tregti ilegale.
Operacioni u zhvillua më 21 maj 2025, rreth orës 18:10, në një rrugë ilegale në fshatin Gnjezdan, ku u ndaluan gjashtë automjete transportuese (kombi) dhe një veturë me targa të Serbisë. Automjetet ishin të ngarkuara me produkte ushqimore, pajisje teknike, mobilje dhe mallra të tjera, me një vlerë të përgjithshme prej mbi 26 mijë euro.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, nga shtatë drejtuesit e mjeteve, gjashtë janë shtetas të Serbisë, ndërsa njëri është shtetas i Republikës së Kosovës.
“Automjetet dhe mallrat janë ndaluar dhe aktualisht po trajtohen nga njësitë kompetente kufitare të Drejtorisë Rajonale Kufitare – Veri, nën dyshimin për kontrabandë ose tregti të paligjshme,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Përveç hetimit nga Policia e Kosovës, rasti është referuar për procedura të mëtejme tek Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës, për të verifikuar përputhshmërinë ligjore të mallrave dhe për të ndjekur çdo shkelje të mundshme tatimore apo doganore.
Ky aksion vjen si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të institucioneve të sigurisë për të luftuar kontrabandën dhe ekonominë e paligjshme në zonat kufitare të veriut të vendit, ku shpesh herë operojnë rrugë të paregjistruara dhe kanale të jashtëligjshme tregtare.
Policia dhe KFOR-i theksojnë se operacione të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim ruajtjen e rendit, ligjit dhe sigurisë ekonomike në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.