Xhemal Lanica është shpallur zyrtarisht “Qytetar Nderi” nga Këshilli Bashkiak i Qytetit të Nju-Jorkut, duke u bërë shqiptari më i ri që merr këtë titull prestigjioz në New York dhe në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Lanica është kryetar i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane të Ulqinit dhe njihet për përkushtimin e tij të palodhur në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi.
Titulli iu dorëzua pikërisht në Ditën e Pavarësisë së Malit të Zi, si një vlerësim për rolin e tij në promovimin e identitetit shqiptar dhe kontributin për mirëqenien e komunitetit.
“Ky, pa dyshim, është një nga ato momentet që do të më shoqërojnë gjatë gjithë karrierës sime,” shkroi z. Lanica në një postim publik.
“Me këtë kam hyrë në librat e historisë si shqiptari më i ri që e marr këtë titull, jo vetëm për Nju-Jorkun, por në gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”
I ardhur në SHBA në vitin 2018 nga qyteti historik i Ulqinit, Lanica solli me vete një pasion të thellë për trashëgiminë shqiptare dhe një mision të qartë për të përfaqësuar denjësisht komunitetin shqiptar, sidomos ata nga Mali i Zi.
Nëpërmjet përfaqësimit të diasporës në nivele të larta të diplomacisë amerikane, përfshirë edhe Departamentin e Shtetit, ai ka ngritur zërin për të drejtat e shqiptarëve dhe ka forcuar marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Malit të Zi. Shoqata që ai drejton ka mbledhur mbi 500,000 dollarë ndihma për komunitetet në nevojë, për ruajtjen e objekteve fetare dhe për mbështetjen e grupeve të margjinalizuara në Mal të Zi.
Këshilli Bashkiak i New York-ut, në vlerësimin e tij, theksoi se udhëheqja e Lanicës ka shërbyer si një model frymëzimi për bashkëmoshatarët e tij dhe për gjithë komunitetin shqiptar, duke nxitur pjesëmarrje aktive në filantropi, si dhe në përkrahjen dhe ruajtjen e kulturës kombëtare. Marrëdhëniet e ndërtuara prej tij me zyrtarë lokalë dhe shtetërorë janë cilësuar si themelore për përforcimin e zërit të shqiptarëve dhe promovimin e harmonisë ndërfetare dhe ndërkulturore në Mal të Zi.
