Një kompani lidere evropiane në fushën e komunikimit të integruar për biznese po vjen edhe në Kosovë. “NFON” e cila e ka selinë në Gjermani të hënën hap zyrtarisht qendrën në Prishtinë. Deri në fund të vitit do të punësohen 30 profesionistë nga vendi për hulumtim dhe zhvillim, shërbim dhe mbështetje dhe burime njerëzore. Qendra e re në Prishtinë do të ofrojë mundësi të arta për karrierë dhe investim në talentë, teknologji dhe rritje.
Kompania lidere po e shton praninë e vet me një qendër teknologjike në zhvillim edhe në kryeqytet
“NFON është një kompani me seli në Gjermani. Është themeluar në vitin 2007 dhe ka qenë një nga pionierët e asaj që quhet telefoni ‘cloud’, pra ofrimi i shërbimeve të komunikimit me zë përmes internetit si një shërbim, si një ofertë softuere-as-a-service [softuer si shërbim]. Vitin e kaluar kemi pasur një rritje të konsiderueshme. Aktualisht, vitin e kaluar kemi pasur rreth 87 milionë euro të ardhura, mbi 400 punonjës. Jemi të lumtur të shërbejmë mbi 55.000 klientë në gjithë Evropën me mbi 670.000 përdorues, dhe këtë e bëjmë në mënyrë indirekte, pra përmes partnerëve. Kemi mbi 3.000 partnerë, dhe me këto shifra mund të kuptoni që kryesisht i shërbejmë segmentit të tregut të mesëm nëpër një shumëllojshmëri industrish”, deklaroi drejtori i Teknologjisë dhe anëtari i bordit në NFON, Andreas Wesselmann.
Për të rinjtë e të rejat nga Kosova do të ofrohen mundësi të arta për karrierë, për çka Wesselman thotë se brenda vitit do t’i bashkohen kompanisë 30 profesionistë
“Nga perspektiva jonë e rritjes, kërkuam se cili është vendi më i mirë. Aktualisht jemi kryesisht aktivë në Gjermani, por edhe në Austri, Mbretëri të Bashkuar, Itali, Portugali dhe me disa degë më të vogla në Spanjë dhe Francë, kështu që jemi të përfshirë në gjithë Evropën. Bëmë një analizë të kujdesshme për të gjetur vendndodhjen më të mirë nëse duam të rritemi si në talente dhe në teknologji me ambicien për një investim afatmesëm dhe afatgjatë. Nuk është një investim afatshkurtër apo thjesht një aktivitet mbështetës, është një angazhim gjithëpërfshirës. Vendosëm të investojmë në Kosovë. Bëmë krahasime me vende dhe lokacione të tjera dhe për ne kjo ishte zgjedhja më e mirë. Vetëm këtë vit synojmë të punësojmë 30 profesionistë në funksione të ndryshme: në R&D [kërkim dhe zhvillim], në shërbim dhe mbështetje, por edhe në financa dhe HR [burimet njerëzore], që tregon se është një qasje gjithëpërfshirëse dhe jo vetëm funksion mbështetës. Jemi të bindur që me dinamikën që shohim në Kosovë dhe angazhimin ndaj teknologjisë dhe rritjes ekonomike, ky është vendi i duhur për ne për t’u rritur”, shton ai.
Qendra e re e cila zyrtarisht do të hapet të hënën në Prishtinë do të integrohet plotësisht në strukturën ndërkombëtare, e mbështetur nga trajnime të targetuara.
“Kohëve të fundit si çdo kompani tjetër, trendi botëror është kah intelegjenca artificiale edhe për momentin jemi kompania lidere evropiane në fushën e komunikimit të integruar për biznese që ofrojmë produkte edhe shërbime të ndryshme që teknologjia na ndihmon për të pasur një komunikim sa më efikas, sa më të lehtë si biznes. Ku kemi voice bot, chat bot, voicemail transcription. Nëse na thirr dikush në telefon, e kemi mundësinë që me intelegjencë artificiale me na asistuar, me u përgjigj, që të ofrojë shërbime për konsumatorin, apo në qoftë se nuk jemi të qasshëm jashtë orarit ose diçka të tillë, ose të gjitha linjat janë të zëna, klienti mund të shkojë në voicemail me lënë një mesazh që ai mesazh pastaj kthehet në tekst dhe dërgohet në email”, tregon Arben Zeka, i cili drejton zyrën në Kosovë si drejtor menaxhues.
Edhe në Prishtinë, kjo kompani po synon të ofrojë një ambient ku të rinjtë mund të zhvillohen
“Ne për Kosovë, planifikimi për këtë vit është ku një pjesë e stafit ka me qenë ka zhvillimi softuerik. Kështu që kush do që merret me zhvillim softuerik edhe ka përvojë janë të mirëseardhur që të na përcjellin dhe të shohin konkurset që i kemi. Edhe një pjesë tjetër do të jetë departamente të ndryshme, ku kemi persona të cilët do të jenë pjesë e ekipit të cilat merren me përkrahje ndaj konsumatorit ose pjesë e financave, ose pjesë e burimeve njerëzore që e kemi një kolege apo më vonë mund të dalin edhe role tjera që mund të na bashkangjiten në departamentin e marketingut apo shërbimeve të tjera. Mirëpo, fokusi primar dhe shumica e individëve do të jenë inxhinierë, qoftë të rrjetave apo edhe zhvillues të softuerit”, shprehet Zeka.
Drejtori i Teknologjisë dhe anëtari i bordit në “NFON”, Andreas Wesselmann fton të rinjtë nga Prishtina që të bëhen pjesë e kompanisë lidere në fushën e komunikimit të integruar për biznese.
“Nga perspektiva ime, është një mundësi vërtet shumë e mirë, siç e thashë, për të mësuar shpejt, për të ndërtuar njohuri moderne në teknologjitë cloud, në një kompani që ka një fokus të fortë evropian, ku duam t’u japim njerëzve përgjegjësi dhe ndjesinë e punës në një ekip të madh që të ndihen pjesë e një kompanie evropiane. Mendoj se kjo përfshin aspekte kulturore, personale, të rritjes dhe teknologjike, dhe për këtë arsye besojmë se jemi një mundësi shumë tërheqëse lokale, shpresojmë më e mira, dhe unë jam i bindur për këtë. Kjo është ajo që synojmë”, përfundon ai.