Naim Murselit do t’i bëhet ekzaminim psikiatrik

by Nexhat

Mbrojtja e të akuzuarve Naim Murseli dhe Kushtrim Kokalla, në fjalën hyrëse thanë se Prokuroria nuk ka prova me të cilat do të dëshmojë fajësinë e të mbrojturve të tyre. Për Granit Plavën, mbrojtja tha se para ngjarjes kritike kishte një aksident, që ka ndryshuar gjendjen psiqike të tij. Ndërsa, me kërkesën e avokates së Murselit- Teutë Zhinipotoku, do të bëhet ekzaminim psikiatrik për të mbrojturin e saj.

Në fjalën hyrëse, mbrojtësja e Naim Murseli, avokatja Teutë Zhinipotoku, fillimisht në emër të saj dhe klientit, shprehu keqardhje të thellë për humbjen tragjike të Liridona Ademajt, raporton “Betimi për Drejtësi“.

banner

“Pavarësisht qëndrimit juridik të mbrojtjes, dhimbja që ka përjetu familja e tani të ndjerës është e pamohueshme dhe meriton respekt të plotë”, tha Zhinipotoku.

Ajo theksoi se Murseli që nga fillimi është deklaruar i pafajshëm dhe ka bashkëpunuar me organet e drejtësisë. Tha se shpreson për një trajtim të drejtë e të barabartë para ligjit, duke u thirrur në prezumimin e pafajësisë.

Sipas saj, Prokuroria nuk ka paraqitur prova bindëse, të drejtpërdrejta apo të mjaftueshme, që do ta lidhnin klientin e saj me veprën penale “Vrasje e rëndë”.

“Bazimi i aktakuzës në rrethana të përgjithshme, supozime apo interpretime të njëanshme të situatës, nuk mund të përbëjnë themel ligjor për një dënim penal”, tha Zhinipotoku.

Avokatja tha se mbrojtja konsideron që nuk ka prova të drejtpërdrejta që provojnë se i akuzuari Murseli ka kryer apo urdhëruar kryerjen e vrasjes. Sipas saj, nuk ekziston lidhje logjike mes të pandehurit dhe veprës penale, pasi argumentet e Prokurorisë nuk tejkalojnë nivelin e dyshimit.

Andaj, Zhinipotoku thotë se në mungesë të një motivi të qartë, pretendimi për veprën penale të vrasjes së rëndë, mbetet e pambështetur dhe i cenueshëm juridikisht.

Ajo tha se kanë kërkuar edhe para ngritjes së aktakuzës që Murseli të dërgohet në ekzaminim psikiatrik, por që nuk kanë pranuar asnjëherë përgjigje as nga Prokuroria e as nga Gjykata.

Kështu, sipas saj, për të vazhduar ky proces gjyqësor, duhet të kemi provë të mjaftueshme se a është i akuzuari në gjendje të përcjellë rrjedhën e shqyrtimeve kryesore, të kuptojë procedurën gjyqësore dhe të konsultohet me mbrojtësit e tij në shqyrtime gjyqësore.

Avokatja tha se konsiderojnë që kur të sigurohet kjo provë- nga konstatimi i ekspertëve, pas ekzaminimit të të pandehurve, mund të vazhdohet me këtë process.

Në anën tjetër, avokati i të akuzuarit Granit Plava, Skender Gojani, tha se i mbrojturi i tij akuzohet për ndërmarrje të veprimeve për privim nga jeta të viktimës.

Ai tha se faktet e paraqitura duhet të trajtohen me kujdes të posaçëm. Tha se më 3 qershor 2025 përmes e-mailit kanë pranuar ekspertizën e Institutit të Psikiatrisë Forenzike lidhur me gjendjen mendore të të pandehurit Plava.

Por, thotë se më 2 qershor mbrojtjes nuk i ishte lejuar kontakti me të pandehurin, ndonëse ishte e domosdoshme për përgatitje profesionale të mbrojtjes në këtë proces.

“Kjo përbën cenimin e të drejtës së garantuar të Kodit të Procedurës Penale, që përcakton atë se mbrojtësi ka të drejtë të komunikojë lirisht me të pandehurin”, tha Gojani.

Për shkak të rrethanave dhe gjendjes së rënduar psiqike dhe emocionale, ai tha se në këtë fazë të procedurës i pandehuri Plava nuk do të deklarohet lidhur me fajësinë.

Ai tha se mbrojtja do të paraqesë prova dhe argumente që ndërlidhen me rrethana personale dhe psikologjike-sociale lidhur me të pandehurin.

Gojani tha se do të parashtrohen faktet dhe provat lidhur me një aksident të rëndë që kishte pësuar i pandehuri dy muaj para ngjarjes- e që sipas tij, ka ndyshuar në gjendjen psikike të tij.

“Këto rrethana janë të rëndësishme për të vlerësuar në mënyrë të plotë dhe të saktë elementet e veprës penale, nivelin e rrezikshmërisë dhe për të ndriçuar gjendjen e të pandehurit në momentin kritik”, tha avokati.

Në fund, ai tha se mbrojtja do të angazhohet për një gjykim të drejtë dhe të balancuar.

Kurse, avokati Ndrecë Dodaj, mbrojtës i Kushtrim Kokallës, tha se provat e prezantuara nga prokurorja Prelinqeviq nuk do të vërtetojnë se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale sikurse pretendohet në aktakuzë.

“Në asnjë prove nuk vërtetohet prezenta e të pandehurit Kushtrim”, tha Dodaj.

Provat personale, ai thotë se më tepër kanë karakter rrethanor, pasi më tepër kanë të bëjnë me raportet familjare, bashkëshortore dhe shoqërore. Tha se edhe këto prova nuk vërtetojnë asnjë pretendim të Prokurorisë se Kokalla është kryerës apo bashkëkryerës.

“Këto prova krijojnë një perceptim që i akuzuari Kushtrim dhe Naim janë nip e dajë mes tyre. Pastaj, i pandehuri Kushtrim me të pandehurin Naim janë bashkëfshatarë dhe sipas mbrojtjes, janë mjaftuar që këta të konsiderohen bashkëkryerës”, tha avokati Dodaj.

Sipas tij, me asnjë provë nuk vërtetohet pretendimi i Prokurorisë se cili është veprimi i të pandehurit Kokalla.  Tha se Kokalla do të jetë i gatshëm gjithmonë të tregojë realitetin dhe se në fund pret aktgjykim lirues për të.

Lidhur me kërkesën e avokates Zhinipotoku për ekzaminim psikiatrik për Murselin, gjykatësja Dermaku tha se gjyqtari i procedurës paraprake e ka refuzuar kërkesën. Kurse, ajo si kryetare e trupit gjykues nuk ka pranur një kërkesë të tillë.

Edhe prokurorja Prelinqeviq tha se në procedurë paraprake gjykatësi kishte reufuzuar kërkesën për ekzaminim psikiatrik për shkak të mungesës së provave- raporteve mjekësore që do ta mbështesnin kërkesën.

“Për të njëjtën është njoftuar edhe mbrojtësja personalisht në zyrën time dhe parashtresa e cekur e mbrojtjes- kërkesa e Prokurorisë dhe vendimi i Gjykatës i është dorëzu së bashku me të gjitha shkresat e lëndës palëve në procedurë. Vetëm nëse fare nuk janë hapur e nuk janë pare”, tha prokurorja.

Prokurorja nuk e kundërshtoi propozimin e avokates për ekspertim neuro-psikiatrik për Murselin, por që dyshon se më mungesë dokumentacioni, po bëhet për të zvarritur procedurën.

Në fund, kryetarja e trupit gjykues Fatime Dermaku aprovoi propozimin e avokates Zhinipotoku që Naim Murselit t’i bëhet ekzaminim psikiatrik në Institutin e Psikiatrisë Forenzike

Ajo tha se ky ekzaminim duhet të realizohet brenda dy javësh, dhe seanca u ndëpre për të vazhduar në korrik.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy