Prishtinë, 4 qershor 2025 – Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka miratuar sot një deklaratë politike në mbledhjen e Këshillit Drejtues, në të cilën ka shpalosur qëndrimet e saj zyrtare për zhvillimet e fundit në vend. Deklarata me pesë pika trajton krizën institucionale, përgatitjet për zgjedhjet lokale dhe qëndrimin ndaj zhvillimeve në Dhomat e Specializuara në Hagë.
PDK e përshkruan veten si forcë shtetformuese dhe shtetndërtuese, duke riafirmuar përkushtimin ndaj interesit publik dhe qytetarëve të Kosovës. Ajo thekson nevojën për stabilitet institucional dhe qeverisje funksionale në një kohë që, sipas saj, vendi po përballet me një bllokadë të paprecedentë politike.
Vlerësimi për zgjedhjet e 9 shkurtit
PDK shpreh mirënjohje të thellë për qytetarët e Kosovës për besimin e madh dhe mbështetjen e fuqishme në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit. Njëkohësisht, falënderon me respekt të jashtëzakonshëm çdo aktivist, strukturë, zyrtar, kandidat/e për deputet/e dhe kandidatin për Kryeministër, Bedri Hamza, për angazhimin dhe përkushtimin e treguar. Rezultati i arritur, rreth 200 mijë vota, përfaqëson një rritje të ndjeshme elektorale. Ky besim i fuqishëm nga qytetarët është dëshmi e qartë se jemi në rrugën e duhur të rritjes dhe fuqizimit politik, dhe na obligon të ecim përpara me vendosmëri, përkushtim dhe përgjegjësi drejt misionit tonë për të ndërtuar një shtet të zhvilluar, demokratik dhe të drejtë.
Bllokada institucionale dhe thirrja për veprim
Në deklaratë, PDK shpreh shqetësim të thellë për situatën e krijuar pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, ku më shumë se 100 ditë kanë kaluar pa formimin e institucioneve të reja. Partia fajëson koalicionin fitues për pasigurinë politike dhe kërkon reflektim të menjëhershëm, duke rikujtuar propozimet e saj konkrete për zhbllokimin e procesit, përfshirë ndryshimin e kandidatit për Kryetar Kuvendi dhe thirrjen e një takimi konsultativ nga Presidentja.
Qeveria e re dhe prioritetet emergjente
PDK kërkon formimin urgjent të një qeverie funksionale që adreson sfidat kryesore të vendit, me theks të veçantë në krizën energjetike, rimëkëmbjen ekonomike dhe integrimin euroatlantik. Ajo propozon një qeveri të re të përbërë nga partitë që ishin në opozitë para 9 shkurtit, duke e cilësuar këtë si alternativën më të qëndrueshme për vendin.
Përgatitje për zgjedhjet lokale
Në funksion të ciklit të ardhshëm zgjedhor, PDK ka autorizuar Kryesinë e partisë të fillojë përgatitjet për Zgjedhjet Lokale, me objektivin për të ruajtur dhe shtuar bazën e saj elektorale. Partia synon të përzgjedhë kandidatë të përgatitur e përfaqësues për kryetarë komunash, duke promovuar vlera si qeverisja e mirë dhe shërbimi cilësor ndaj qytetarëve.
Reagim për vendimet e Dhomave të Specializuara
Një pikë e veçantë në deklaratë i kushtohet vendimeve të fundit të Dhomave të Specializuara në Hagë. PDK e cilëson refuzimin e kërkesave për mbrojtje në liri të Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit si shkelje të të drejtave themelore të njeriut. Ajo kërkon rishikimin e qasjes së këtij institucioni dhe apelon për drejtësi të paanshme, në përputhje me ligjet e Kosovës dhe të drejtën ndërkombëtare.
Me këtë deklaratë politike, PDK synon të pozicionohet si alternativë serioze dhe konstruktive në skenën politike të vendit, duke artikuluar qartë përgjegjësinë e saj në ndërtimin e institucioneve dhe mbrojtjen e interesit qytetar. Partia fton të gjitha palët për bashkëpunim në funksion të stabilitetit dhe zhvillimit të Kosovës.