Ish-zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Philip Reeker, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me krizën politike në Kosovë, duke e cilësuar situatën si “një turp të vërtetë”. Ai ka kritikuar faktin që partitë politike nuk po arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Në një deklaratë për Kosovo Online, Reeker ka theksuar se qytetarët e Kosovës meritojnë një zgjidhje të shpejtë për të pasur institucione funksionale, qeverisje të mirë dhe sundim të ligjit. Ai ka ritheksuar rëndësinë e stabilitetit politik dhe marrëdhënieve të mira me fqinjët.
“Njerëzit e Kosovës meritojnë më shumë se aq. Ne e kemi përkrahur Kosovën dhe kemi bërë përpjekje për gjetje të zgjidhjeve paqësore. Ata duhet të gjejnë zgjidhje për të pasur qeverisje të mirë, sundim të ligjit dhe për të lëvizur përpara,” është shprehur Reeker.