Policia e Kosovës ka kryer një bastisje më 10 qershor 2025 në një shtëpi në Prishtinë, ku është arrestuar një person me inicialet (R.D.), i dyshuar për veprën penale të mashtrimit.
Hetimet zbuluan një skemë mashtrimi që preku dhjetë viktima, të gjitha ish-pjesëmarrëse në luftërat e Sirisë dhe Irakut, duke iu premtuar donacione në emër të integrimit të tyre në shoqërinë kosovare.
Viktimat ishin bindur nga të dyshuarit që të aplikonin për donacione në një institucion mikrofinanciar në Prishtinë, por në realitet nënshkruanin kontrata kredie nga 4,500 deri në 5,000 euro. I dyshuari (R.D.) i kishte identifikuar dhe dërguar për aplikim, ndërsa zyrtari (V.G.) kishte përgatitur dokumentacionin dhe menaxheri (A.H.) kishte miratuar kreditë.
Pasi fondet dilnin në llogaritë e viktimave, (R.D.) i shoqëronte në banka për të tërhequr paratë, duke u dhënë atyre vetëm nga 500 euro, ndërsa pjesën tjetër e merrte duke u thënë atyre se pjesa tjetër është për zyrtarët e përfshirë në projekt. Mashtrimi u zbulua kur institucioni mikrofinanciar kërkoi kthimin e kredive.
Deri tani, 10 viktima janë intervistuar dhe dëmi financiar llogaritet të jetë 45,000 euro. Dy të dyshuarit (R.D.) dhe (V.G.) janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ndërsa i dyshuari i tret (A.H.) është liruar në procedurë të rregullt. Hetimet po vazhdojnë nën mbikëqyrjen e Prokurorisë për vendime të tjera.