Gjatë muajve të parë të vitit 2025, në Klinikën e Kirurgjisë Torakale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë kryer gjithsej 176 ndërhyrje kirurgjikale në gjoks, prej të cilave 125 kanë rezultuar me diagnozë të kancerit të gjirit. Këto të dhëna janë bërë publike nga drejtori i klinikës, Dr. Nazmi Kolgeci, në një intervistë për “Ekonomia Online”.
Dr. Kolgeci theksoi një përparim të rëndësishëm në trajtimin e kancerit të gjirit këtë vit: përdorimin e metodës Sentinel, e cila ka mundësuar shmangien e ndërhyrjes radikale – heqjes së plotë të gjirit – për një numër të konsiderueshëm pacientesh.
“Gjatë këtij viti kemi filluar me metodën Sentinel dhe kemi arritur të kursejmë gjirin në 22 raste, që në të kaluarën do të përfundonin me mastektomi të plotë. Kjo është një arritje e madhe, si për aspektin mjekësor ashtu edhe emocional për pacientet,” tha ai.
Sipas Dr. Kolgecit, trendi i rasteve me kancer të gjirit vazhdon të jetë në rritje, megjithëse luhatjet mujore janë të zakonshme. Krahasuar me vitet e kaluara, vetëm gjatë vitit të kaluar (2024) është vërejtur një shtim me rreth 11 raste të reja.
“Ndërsa pritet përmbledhja vjetore për një pasqyrë më të saktë, shifrat tregojnë se për dallim nga viti 2023 dhe 2024, rastet janë në rritje të lehtë, veçanërisht gjatë muajve të vetëdijesimit për kancerin e gjirit, kur numri i kontrolleve shtohet ndjeshëm,” theksoi ai.
Në lidhje me faktorët që ndikojnë në shfaqjen e këtij lloji të kancerit, Kolgeci përmendi kombinimin e predispozitës gjenetike me stilin e jetesës.
“Faktorët më të shpeshtë janë trashëgimia, por gjithashtu edhe mënyra e jetesës, ushqimi i pasur me mish apo produkte të qumështit, si dhe trajtimet hormonale. Edhe përdorimi i barnave për fertilitet apo kontracepsion mund të ndikojë,” shtoi ai.
Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Torakale bëri thirrje për vetëdijesim të shtuar të grave për kontrolle të rregullta, theksuar se diagnoza e hershme shpëton jetë dhe shmang ndërhyrjet e rënda.
“Sa më herët të zbulohet kanceri i gjirit, aq më i madh është shansi për trajtim më pak invaziv dhe më efektiv. Ftojmë gratë që të mos neglizhojnë kontrollet dhe të kërkojnë ndihmë që në shenjat e para,” përfundoi Kolgeci.
Ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm përpara për shërbimin publik shëndetësor në Kosovë, duke treguar se investimi në teknologji dhe trajnim sjell rezultate të prekshme në përmirësimin e kujdesit ndaj pacienteve me kancer të gjirit.