Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz paralajmëroi udhëheqësin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, se “Teherani do të digjet” nëse vazhdon të qëllojë me raketa civilët izraelitë.
“Diktatori iranian po i merr peng qytetarët e Iranit , duke sjellë një realitet në të cilin ata, dhe veçanërisht banorët e Teheranit, do të paguajnë një çmim të rëndë për dëmin flagrant që u është shkaktuar qytetarëve të Izraelit. Nëse Khamenei vazhdon të qëllojë me raketa në frontin e brendshëm izraelit, Teherani do të digjet”, tha Katz në një deklaratë sipas The Guardian.
Kjo vjen pasi Irani kërcënoi bazat perëndimore në rajon.
Irani paralajmëroi bazat e Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-së dhe Francës.
Vazhdimi i bisedimeve bërthamore Iran-SHBA është i pajustifikueshëm për sa kohë që sulmet “barbare” izraelite vazhdojnë ndaj vendit, citoi media shtetërore iraniane të shtunën ministrin e jashtëm iranian Abbas Araqchi .
Të premten, zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, tha se dialogu me SHBA-në mbi programin bërthamor të Teheranit është “i pakuptimtë” pas sulmit më të madh ushtarak të Izraelit kundër Iranit , duke akuzuar Uashingtonin për mbështetjen e sulmit.
Nga ana tjetër, sulmi me raketa iraniane plagosi shtatë ushtarë në Izraelin qendror gjatë natës, tha një zëdhënës ushtarak të shtunën, një nga disa breshëritë e nisura në përgjigje të sulmit të Izraelit ndaj lokacioneve ushtarake dhe bërthamore.