Vetëm gjatë pesë muajve të parë të vitit 2025, 270 infermierë kanë lënë Kosovën për të punuar jashtë vendit, kryesisht në Gjermani, duke rritur shqetësimet mbi gjendjen e sistemit shëndetësor në vend.
Sipas Odës së Infermierëve të Kosovës, çdo vit mbi 300 infermierë largohen në kërkim të kushteve më të mira pune dhe pagave më të larta. Kjo tendencë ka ndikuar në boshllëqet e stafit në spitale dhe qendra shëndetësore, duke rritur ngarkesën e infermierëve që mbeten.
Leonora Bakija nga Oda e Infermierëve të Kosovës bëri të ditur se numri i kërkesave për dokumente, si vërtetimi për Kodin Etik dhe licenca në versionin jo të plastifikuar, është rritur ndjeshëm, duke reflektuar interesimin e infermierëve për punësim jashtë vendit.
Në tri vitet e fundit, rreth 1 mijë infermierë kanë lënë Kosovën, ndërsa Oda e Infermierëve i ka bërë thirrje institucioneve shtetërore për masa konkrete që do të ndihmonin në mbajtjen e kuadrit shëndetësor në vend.

