Derisa Izraeli dhe Irani po shkëmbejnë sulme të njëpasnjëshme, Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka deklaruar si publikisht, ashtu edhe privatisht, se dëshiron të mbajë Amerikën jashtë këtij konflikti.
Sipas dy burimeve, Trump ka kundërshtuar një plan të Izraelit për të vrarë Udhëheqësin Suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.
Një zyrtar i lartë amerikan i tha CNN-it se këtë fundjavë, izraelitët kishin një mundësi për ta realizuar këtë plan, por SHBA-ja kishte komunikuar se Trump ishte kundër dhe për pasojë plani nuk u zbatua. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mohoi raportimet për ekzistencën e një plani të tillë.
Megjithatë, SHBA-ja ka ofruar mbështetje mbrojtëse për Izraelin, duke ndihmuar në ndërprerjen e sulmeve hakmarrëse iraniane. Por Trump është ndalur larg përfshirjes në operacionet ushtarake të Izraelit, të cilat synojnë çmontimin e kapaciteteve bërthamore të Iranit.
Burime të afërta me çështjen thanë se Izraeli ka diskutuar me SHBA-në për mundësinë e rritjes së përfshirjes amerikane, ndonëse një zyrtar izraelit ka theksuar se nuk ka pasur ende bisedime “praktike” mbi detajet.
Vetë Trump ka pranuar se përfshirja e SHBA-së në konflikt është një mundësi:
“Ne nuk jemi të përfshirë. Është e mundur që të përfshihemi. Por për momentin, nuk jemi të përfshirë,” tha ai për ABC News të dielën.
Interesat e ndryshme kanë krijuar një dinamikë të ndërlikuar për presidentin amerikan, i cili ka premtuar të sjellë paqe në rajonet më të trazuara të botës