Në një ditë të rëndësishme për mijëra të rinj, sot në orën 10:00 nis zyrtarisht Provimi i Maturës Shtetërore, ku do të marrin pjesë 18.800 maturantë nga të gjitha komunat e vendit.
Testi, i cili zhvillohet në një ditë të vetme, përfshin katër lëndë: Gjuhë Shqipe, Gjuhë Angleze, Matematikë dhe një lëndë me zgjedhje, duke përbërë gjithsej 100 pyetje me nga 25 për secilën lëndë.
Ky provim përfaqëson një moment kyç në përfundimin e ciklit të arsimit të mesëm të lartë dhe kalimin drejt studimeve të larta.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka njoftuar se janë ndërmarrë të gjitha masat për të garantuar një proces të drejtë, transparent dhe të sigurt.
Trupat mbikëqyrëse, ekspertët e IT-së dhe ekipet lëvizëse do të monitorojnë nga afër e nga distanca mbarëvajtjen e testimit në të gjitha qendrat e provimit.
MAShTI i ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve që të respektojnë rregullat në fuqi, duke nënvizuar ndalimin e rreptë të përdorimit të telefonave dhe pajisjeve elektronike gjatë provimit.
Hyrja në ambientet e testimit do të mbyllet fiks në ora 10:00, dhe asnjë hyrje e vonuar nuk do të lejohet për persona të paautorizuar.
Çdo shkelje e rregullave të përcaktuara do të ndiqet me masa të menjëhershme ligjore, me qëllim mbrojtjen e integritetit të procesit dhe barazisë së të gjitha palëve të përfshira.
Rezultatet përfundimtare pritet të publikohen jo më vonë se 30 qershor 2025, ndërsa certifikatat digjitale do të jenë të disponueshme për shkarkim për të gjithë maturantët që kalojnë me sukses.