Poliklinika Stomatologjike në kryeqytet ka përfunduar plotësisht rinovimin dhe është gati të rifillojë me ofrimin e shërbimeve që nga dita e hënë. Ky institucion i rëndësishëm shëndetësor, që tashmë funksionon si ent i pavarur në nivelin sekondar, vjen me infrastrukturë të re, inventar të përmirësuar dhe standarde më të larta për kujdesin ndaj pacientëve.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, në një deklaratë për Ekonomia Online theksoi rëndësinë e këtij investimi. “Kemi përfunduar renovimin e plotë të Poliklinikës Stomatologjike. Është e vetmja e nivelit sekondar në Kosovë, dhe falë Ligjit për kryeqytetin, kemi pasur të drejtën për themelimin e saj si institucion i pavarur,” tha Sadiku.
E vendosur pranë Pallatit të Rinisë, kjo poliklinikë do të ofrojë një gamë të gjerë të shërbimeve stomatologjike sekondare, përfshirë intervenimet kirurgjikale që nuk kërkojnë hospitalizim, si dhe trajtime të specializuara që më herët kanë qenë të kufizuara në sistemin publik.
Sadiku theksoi gjithashtu faktin se sistemi stomatologjik i Prishtinës është i vetmi në Kosovë që ofron shërbime 24 orëshe. “Në QMF-në e lagjes Dardani, shërbimi stomatologjik është i disponueshëm 24 orë në ditë. Ky është një shembull unik i përkushtimit ndaj kujdesit publik,” shtoi ai.
Me këtë zhvillim, Komuna e Prishtinës synon të rrisë qasjen e qytetarëve në shërbime të standardizuara dhe cilësore, ndërkohë që lehtëson ngarkesën në institucionet terciare dhe private.

