Dhjetëra qytetarë janë mbledhur sot në hyrje të Kuvendit të Kosovës për të protestuar kundër zvarritjes së procesit të konstituimit të institucioneve shtetërore, pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Protesta zhvillohet në një moment ku pasi për të 35-tën herë është thirrur seanca për formimin e Kuvendit, por pa arritur ende një marrëveshje mes partive politike.
Qytetarët, të pajisur me pankarta dhe flamuj të Kosovës, kanë shfaqur pakënaqësinë me mesazhe të drejtpërdrejta si: “Kushtetuta nuk është për lojë politike”, “Populli ka votuar, jo për t’u bllokuar” dhe “Koha nuk pret”.
Organizatorët e protestës theksuan se vonesat e përsëritura përbëjnë një cenim të thellë të vullnetit të qytetarëve dhe rrezikojnë kredibilitetin e proceseve demokratike në vend.
“Ne kemi dalë në votime me shpresën për stabilitet dhe përfaqësim, jo për të parë institucione të paralizuara,” u shpreh një nga protestuesit.
Në pritje të zhvillimeve të mëtejshme, qytetarët kanë paralajmëruar se protesta të ngjashme mund të vazhdojnë, nëse nuk respektohet mandati i votës së lirë.