Organizatat e shoqërisë civile kanë përsëritur sot shqetësimet e tyre lidhur me bllokimin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, përmes një proteste të zhvilluar para ndërtesës së Kuvendit në Prishtinë.
Në emër të protestuesve foli Eugen Cakolli nga koalicioni “Demokracia në Veprim”, i cili e cilësoi situatën si një krizë të thellë politike që nuk mund të zgjidhet përmes ndërhyrjeve juridike.
“Qëndrimi ynë si organizata të shoqërisë civile është se as Gjykata Kushtetuese nuk mund ta zgjidhë këtë ngërç, për shkak se problemi kryesor në situatën e tanishme është mungesa e vullnetit politik, e jo e mekanizmave proceduralë e ligjorë,” deklaroi Cakolli, duke theksuar se përgjegjësia për tejkalimin e krizës bie mbi partinë e parë parlamentare.
Sipas tij, edhe nëse do të kishte një vendim të Gjykatës Kushtetuese, ai nuk do të kishte efekt praktik nëse mungon gatishmëria e deputetëve për të arritur konsensus.