Imazhet e reja satelitore tregojnë se kompleksi bërthamor Fordow i iIranit, i cili u bombardua nga SHBA-ja është duke u restauruar.
Sipas kompanisë amerikane të imazheve satelitore Maxar Technologies, imazhet u morën të premten dhe tregojnë ekskavatorë dhe buldozerë të rëndë që lëvizin dheun pranë kratereve dhe vrimave në rajonin malor verior të Fordoë.
Zona u godit nga bombat depërtuese amerikane GBU-57, të cilat Pentagoni tha se kishin në shënjestër kanalet e ventilimit të ndodhura thellë në kompleksin nëntokësor.
Imazhe të tjera tregojnë makineri që hapin rrugë të reja hyrëse (Izraeli raportoi se i goditi ato një ditë pas bombardimeve amerikane) dhe riparojnë rrugën kryesore që të çon në qendrën nëntokësore të pasurimit.
Sipas ekspertëve nga Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara, iranianët mund të jenë duke u përpjekur të rivendosin aksesin në mënyrë që të vlerësojnë shkallën e dëmit dhe gjendjen e pajisjeve, megjithëse kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Donald Trump deklaroi pas bombardimeve se bastisjet amerikane shkaktuan “shkatërrim total” të infrastrukturës bërthamore të Iranit dhe vlerësoi se Teherani nuk do të ishte në gjendje ta rindërtonte atë. Megjithatë, ekspertët e armëve bërthamore vënë në dyshim nëse programi është shkatërruar përgjithmonë.
Siç vërejnë ata, është e vështirë të “bombardohet njohuria” dhe Teherani tani mund të ketë një nxitje edhe më të madhe për të ecur përpara me zhvillimin e armëve bërthamore.
Bombardimet fundjavën e kaluar goditën gjithsej tre vende kryesore: Fordow dhe Natanz me bomba me depërtim të thellë dhe Isfahan me raketa Tomahawk të lëshuara nga deti. Shkalla e plotë e dëmit në rezervat dhe pajisjet e uraniumit të pasuruar është ende duke u vlerësuar.