Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Petrit Hajdari, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, lidhur me vizitat e zyrtarëve të PDK-së në Hagë.
Në një postim në “Facebook”, Hajdari ka quajtur Kurtin “të çorientuar, frikacak dhe shpifës”, duke e akuzuar se i frikësohet PDK-së dhe historisë së saj.
“Albin Kurti, frikacaku më i madh politik në historinë e Kosovës, nuk guxon të japë intervista, e aq më pak të marrë pjesë në debate publike. Kur më në fund ia del të thotë diçka, vetëm shpif ndaj atyre që ua ka frikën – ndaj PDK-së”, ka shkruar Hajdari.
Ai ka theksuar se PDK-ja është krenare për themeluesit e saj, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, edhe pse ata ndodhen në Hagë, duke shtuar se Kurti nuk ka të drejtë të komentojë për strukturën dhe drejtimin e partisë së tij.
“Partia Demokratike e Kosovës e ka vetëm një kryetar, të zgjedhur nga organet e saj. Ne nuk kemi nevojë për vlerësimin e Kurtit, as për raportet tona me shtetin. Kur të vlerëson Kurti, duhet të reflektosh. Por kur të shan – je në rrugën e duhur”, ka shkruar ai.
Hajdari gjithashtu ka ironizuar me frikën që, sipas tij, Kurti po e ndien në prag të zhvillimeve politike, duke e përmbyllur postimin me një mesazh të drejtpërdrejtë:
“Frikacakut po i dridhet toka nën këmbë. Çlirohu, se nuk të shërojmë dot!”
Reagimi i Hajdarit vjen pas një deklarate të Albin Kurtit në një emision televiziv, ku ai kishte përmendur vizitat e zyrtarëve të PDK-së në Hagë, duke sugjeruar se ato mund të kenë karakter politik dhe strategjik.