Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka lansuar sot një fushatë ndërgjegjësuese kundër të shtënave festive, si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për rritjen e sigurisë publike dhe parandalimin e përdorimit të armëve në mënyrë të paligjshme dhe të rrezikshme gjatë festimeve.
Fushata është fokusuar kryesisht në ndërgjegjësimin e qytetarëve për pasojat ligjore dhe rrezikun e madh që paraqesin të shtënat në ajër, veçanërisht gjatë sezonit të dasmave dhe festimeve të tjera tradicionale. Synimi është krijimi i një mjedisi më të sigurt për të gjithë qytetarët.
Në ngjarjen zyrtare morën pjesë zëvendësministri i Punëve të Brendshme dhe kryesuesi i Komisionit për Armë të Vogla dhe të Lehta, z. Blerim Gashani, si dhe përfaqësues të lartë ndërkombëtarë dhe vendorë. Ndër ta ishin Ambasadori i Suedisë në Kosovë, z. Jonas Westerlund, përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Peter Valleste, Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së, z. Nuno Queiros, si dhe Drejtori i Departamentit të Rendit Publik në Policinë e Kosovës, z. Arbnesh Ajvazi.
Gjithashtu, në konferencë ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Prokurorisë së Shtetit, Këshillit Gjyqësor dhe institucioneve të tjera relevante, të cilët theksuan nevojën për një qasje të koordinuar institucionale në luftën kundër përdorimit të paligjshëm të armëve.
Përmes kësaj fushate, MPB dhe partnerët ndërkombëtarë u bëjnë thirrje qytetarëve që të shmangin të shtënat festive dhe të festojnë në mënyrë të sigurt, duke respektuar ligjin dhe duke treguar kujdes ndaj jetës së të tjerëve.
